Lajme

Abbott: Politizimi i fatit të personave të zhdukur është i gabuar


Nicholas Abbot, Ambasadori i Britanisë në Kosovë

“Çështja e personave të zhdukur nuk duhet të politizohet dhe as të përdoret për përfitime politike”.

Këtë deklaratë e ka bërë Ambasadori i Britanisë në Kosovë, Nicholas Abbott, gjatë fjalës së tij në forumin “Nevoja për de-politizim të çështjes së personave të zhdukur.

Ai më tutje ka deklaruar se familjet e personave të zhdukur dhe Organizatat jo-Qeveritare të cilët merren me zbardhjen e fatit të personave të zhdukur nuk duhen të përdoren si “top futbolli” në arenën politike në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk mund të injorojmë mjedisin politik në të cilin shfaqen këto çështje, por kjo do të thotë se askush nuk duhet ta përdorë çështjen e të zhdukurve si ndikim politik për qëllime të tjera”, ka shkruar Abbott në Facebook.

Diplomati britanik ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia të respektojnë marrëveshjen e cila gjeneron nga Procesi i Berlinit ku parashihet zgjidhja e çështjes së personave të zhdukur.

Forumi për depolitizim të çështjes së personave të zhdukur është organizuar me rastin e 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore