Lajme

Abbott për takimin Kurti-Johnson në Londër: U bë i qartë angazhimi afatgjatë i Mbretërisë së Bashkuar ndaj rajonit


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë pjesëmarrjes në Samitin për Investime në Ballkanin Perëndimor.

Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, ka treguar për takimin që pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me homologun britanik, Boris Johnson, më 28 shkurt.

Abbott, këtë e ka bërë të ditur përmes postimit në rrjetin social, ‘Twitter’, në të cilën thuhet se Kurti ka bërë të ditur angazhimin afatgjatë të Mbretërisë së Bashkuar ndaj rajonit.

“Dje, pata kënaqësinë që të prezantoj Albin Kurtin te kryeministri britanik, sekretarja e jashtme dhe ministri për Europë. Në një takim në Londër me udhëheqësit tjerë të Ballkanit Perëndimor, kryeministri e bëri të qartë angazhimin afatgjatë të Mbretërisë së Bashkuar ndaj rajonit dhe nevojën për një përgjigje kolektive ndaj agresionit rus në Ukrainë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka marrë pjesë në Samitin për Investime në Ballkanin Perëndimor që është duke u mbajtur në Londër ka thënë se sërish ka kërkuar angazhim ndaj Kosovës.

Kurti, këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin social, “Twitter”.

“Theksova gjithashtu se duke pasur parasysh situatën aktuale të sigurisë, kurrë nuk ka qenë më e qartë që të angazhohemi me Kosovën si në nivel ndërkombëtar ashtu edhe në atë të BE-së”, ka shkruar Kurti.

Kurti, dje përmes një postimi në Twitter, tha se Ballkani Perëndimor është domosdoshmëri për sigurinë e Europës. Ai tha se në këtë takim u fol edhe për mundësitë e investimit.

Në këtë samit Kurti ka marrë pjesë së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Murati.

Ndërsa, prezent kanë qenë edhe gjashtë kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilët kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

Hapjen e Samitit do ta bëjë Oliver Varhelyi, Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi në ora 9:00-9:15.

Sesioni interaktiv mes participantëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe shtojca me pyetje/përgjigje do të jetë nga ora 9:15-11:00.

“Gjashtë kryeministra nga rajoni do të diskutojnë për të ardhmen e rajonit dhe mundësitë e investimeve”, thuhet në njoftimin e llogarisë zyrtare të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore