Kosova

Abbott e Sveçla diskutojnë mbi ndikimin e sulmit terrorist në Banjë  


Nicholas Abbott dhe Xhelal Sveçla

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, këtë të premte ka takuar ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçlën.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në platformën sociale, X, Abbott, ka bërë të ditur se me Sveçlën ka diskutuar mbi ndikimin e sulmit terrorist të 24 shtatorit.

“Mbretëria e Bashkuar mbështet Kosovën në përpjekjet e saj për të hetuar sulmin dhe bën thirrje që autorët të sillen para drejtësisë”, ka shkruar Abbott në platformën sociale, X.

Ndër të tjera Abbott ka njoftuar se në takim me Sveçlën është diskutuar edhe “bashkëpunimi i fortë i Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës për sigurinë”.

Pas sulmeve terroriste kundër Policisë së Kosovës në Banjë të Zveçanit, në shtator të vitit të kaluar NATO-ja e ka përforcuar misionin e vet KFOR-in në Kosovë.

Kosova e ka fajësuar shtetin e Serbisë për sulmin, ndonëse kjo e fundit ka mohuar gjithçka.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Milan Radojiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe.

Në anën tjetër Agjencia Ndërkombëtare e Policisë (INTERPOL) tashmë ka lëshuar fletarrestim për të.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore