Lajme

Abazoviç për Vulinin: Njerëz të tillë duhet të injorohen


Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, i është kundërpërgjigjur ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandër Vulin, pasi ky i fundit ditë më parë ka vlerësuar se vizita e kryeministrit shqiptar në Serbi, “nuk paraqet asnjë moment historik”.

Por, Abazoviç bëri thirrje që personat si Vulin, “më së miri është të injorohen”.

“Sa për Vulinin, çdo qeveri ka “Vulinët” e tij. Më besoni, mënyra dhe përgjigjja më e mirë për njerëz të tillë është t’i injorojmë. Sa më shumë t’u kushtojmë rëndësi, aq më aktivë do të jenë me deklarata”, tha Abazoviç, raporton mediumi malazez Vijesti.

Vulin po ashtu kishte thënë se Abazoviç është i mirëpritur në Serbi, por do të ishte i lumtur ta shihte Malin e Zi të bënte një hap që nuk është “anti-serb”.

Duke folur për urdhrin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçic, për heqjen e masave për deputetët e Kuvendit të Malit të Zi gjatë hyrjes në Serbi, Vulin shtoi se ato nuk janë zbatuar asnjëherë për qytetarët e Malit të Zi, të cilët janë të mirëpritur në Serbi, por kinse për deputetë që votuan pro rezolutës që njeh gjenocidin serb në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Presidenti Aleksandër Vuçiç nuk më pyeti, ai dha urdhër. Ai është president i të gjithë serbëve, dhe unë si ministër i Punëve të Brendshme jam i obliguar të dëgjoj dhe respektoj vendimet e presidentit. Jemi një vend i organizuar dhe i rregullt, ne nuk jemi si Mali i Zi”, tha ai.

Më 29 qershor, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, është takuar në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Gjatë një konference për media, Abazoviç tha se takimi u fokusua në bashkëpunimin rajonal dhe bashkëpunimin në fushën e infrastrukturës.

“Arritëm në një zgjidhje konkrete për kërkesën time dhe Vuçiç e zgjidhi shumë kolegjialisht çështjen që është e rëndësishme për deputetët malazezë. Nga 1 korriku, qytetarët e Malit të Zi, në mesin e të cilëve politikanë, deputetë, do të vijnë në Beograd pa kufizime”, potencoi Abazoviç.

Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, theksoi se është i bindur se do të ketë përparim të madh në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore