Lajme

Abazoviç për votën pro Kosovës në KiE: Nuk ishte kundër Serbisë, ishte veprim i përgjegjshëm


Dritan Abazovic

Kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, në seancën e Komitetit Parlamentar për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Emigrantë, deklaroi se vota e shtetit malazez pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, është në linjë me politikën e jashtme të shtetit që ai udhëheqë, dhe tha se kemi ndjekur një “politikë të përgjegjshme dhe konsekuente”.

“Nuk do të habitesha nëse do ta votonim kundër, kështu që u thirr një seancë dëgjimore. Atëherë do të ishte diçka e justifikuar. Kam dëgjuar se është fjala për mostransparencë, por votimi është bërë në komision. Ambasadorja jonë atje dërgoi një shënim që ne duhet të bëjmë një deklaratë. A kanë mendime të ndryshme anëtarët e Qeverisë? Shumica prej tyre, ose më saktë të gjithë, pranuan që në fillim se Mali i Zi ka një politikë të jashtme konsistente. Mali i Zi votoi së bashku me 33 vende të tjera”, tha fillimisht ai, transmenton media malazeze Vijesti.

Ndërkaq, Abazoviç pohoi se edhe “neni 4 i Marrëveshjes së Ohrit (Marrëveshja për planin e zbatimit të marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë) thotë se një vend nuk do të ndalojë një tjetër nëse dikush dëshiron të anëtarësohet në një organizatë të caktuar ndërkombëtare”.

“Interesi i Malit të Zi këtu është më i madhi. Kjo reflektohet në bashkëpunimin dhe stabilitetin rajonal. Ne nuk mund të japim një kontribut më të madh në zgjidhjen e këtyre çështjeve, por mund të jemi miqësorë dhe t’i ftojmë vendet të gjejnë një gjuhë të përbashkët”, tha ai.

Po ashtu, për akuzat që u bënë nga partitë pro-serbo-ruse, se ky vendim është kundër Serbisë, Abazoviç u përgjigj duke thënë se “votimi është shtyrë disa herë dhe se vendimi përfundimtar nuk është drejtuar kundër Serbisë”.

“Kam qenë shumë kolegjial, kam thënë se do të votojmë për dhe se nuk ka asgjë kundër Serbisë. Ne jemi një vend që e kemi njohur Kosovën, jemi sjellë si të gjitha vendet që e kanë njohur, por ne i kuptojmë vendet që nuk e kanë njohur Kosovën. Në këtë mënyrë, ne zhvillojmë një politikë të qëndrueshme. Ky nuk është vendim i marrë në seancat e Qeverisë”.

Gjithashtu, kreu i ekzekutivit malazez nënvizoi se “ne po kërkojmë një zgjidhje të qëndrueshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në dialog dhe mendoj se ishte në atë kontekst”, duke shtuar se “Mali i Zi ka marrëdhënie të mira me Serbinë”.

Ndryshe, të mërkurën e 3 majit, kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ka raportuar para Komisionit Parlamentar për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Emigrantë lidhur me vendimin që Mali i Zi të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Për këtë votë pro kishin reaguar ashpër një pjesë e partive në pushtet, të cilat pretendonin se janë shkelur procedurat, pasi kjo çështje nuk është diskutuar në mbledhjen e qeverisë malazeze.

Një hap më tej bëri Komisioni Parlamentar për Marrëdhënie Ndërkombëtare, i cili njoftoi se do të kërkojë nga Qeveria një raport për arsyet dhe mënyrën e marrjes së vendimit për të mbështetur fillimin e procedurës për pranimin e Kosovës në KiE.

Më 24 prill, nga 46 shtete të cilat votuan në Komitetin Ministror të Këshillit të Evropës për të marrë vendimin që t’ia përcjellin Asamblesë Parlamentare kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës, 33 shtetet, duke përfshirë edhe shtetet e rajonit si Shqipëria, Mali i Zi, Sllovenia, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia votuan pro, ndërsa 12 prej tyre kundër apo abstenim.

Sipas të dhënave që janë bërë publike Hungaria, Rumania, Qiproja, Spanja, Azerbajxhani, Gjeorgjia dhe Serbia votuan kundër, kurse Bosnjë dhe Hercegovina, Greqia, Sllovakia, Moldavia dhe Ukraina abstenuan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore