Lajme

Abazoviç lidhur me dialogun: “Ne nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, por mund të ndryshojmë të ardhmen”


Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.

Abazoviç përmes një postimi në Twitter ka thënë se dialogu është zgjidhja e vetme për të të kapërcyer krizat.

Sipas Abazoviç, e kaluara nuk mund të ndryshohet, por mund të ndryshohet e ardhmja

“Qeveria e Malit të Zi mirëpret marrëveshjen ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Dialogu është zgjidhja e vetme e mundshme për të kapërcyer çdo krizë. Ne duam paqe, stabilitet dhe prosperitet në Ballkanin Perëndimor. Ne nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, por mund të ndryshojmë të ardhmen”, thuhet postimin e Abazoviçit në Twitter.

Çfarë marrëveshje u arrit?

Në fakt, nuk është arritur një marrëveshje e re, thjesht ka zotim se tash e tutje do të respektohet marrëveshja e vitit 2011 për Lëvizje të Lirë e cila parashihte që qytetarët e dy vendeve do lëvizin nga njëri shtet në tjetrin vetëm më karta identiteti.

Problemi ishte se Serbia nuk e aplikonte ashtu si ishte arritur marrëveshja dhe u lëshonte kosovarëve edhe nga një letër të bardhë për hyrje/dalje.

Kosova nuk e bënte të njëjtën. Siç ishte shpjegimi atëherë, shteti i Kosovës kishte refuzuar të bëjë për shkak të mos detyrimit të shqiptarëve të Luginës për një letër të tillë.

Por, ka shumë mundësi që nuk bëhej edhe për shkak të rebelimit që do të mund të ndodhte nga ana e serbëve të Kosovës.

Kryeministri aktual, Albin Kurti, vendosi që ta vë në funksion këtë letër të bardhë, nëse Serbia vazhdon me të njëjtën.

Marrëveshja tash është që Serbia do të heq dorë nga ajo letër dhe Kosova s’do të ketë nevojë ta impelemntojë fare.

Po me targat?

Me targat nuk është arritur ndonjë marrëveshje akoma. Atyre do të vazhdohet t’u vendosen ngjitës në vendet ku janë emblemat e shtetit dhe shkronjat dalluese të republikave.

Përse në Kosovë po festohet nga qeveria si fitore?

Sepse po nënkuptohet si detyrim i Serbisë për të hequr dorë nga ajo letra e bardhë që e kishte implementuar një anshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore