Lajme

Abazi: Jap dorëheqje, nëse ndërrohet Kushtetuta për shkak të Asociacionit


Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Haki Abazi.

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Haki Abazi, ka deklaruar së në rast se do të ketë ndryshim Kushtetues sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe është i gatshëm të japë dorëheqje nga pozita e deputetit.

“Sikur të mos ishte asociacioni pjesë e marrëveshjes sigurisht që s’do të duhej të flisnim për të. Duhet të fillohet të diskutohet si pjesë e marrëveshjes finale. Nuk besoj që do të ketë ndryshim kushtetues për të akomoduar kompetenca ekzekutive të asociacionit. Nëse ndodh një gjë e tillë unë jam i pari që jap dorëheqje”.

Ai këtë deklaratë e ka dhënë për agjencinë e lajmeve Ekonomia Online duke theksuar se fatkeqësisht kjo do të jetë pjesë e marrëveshjes finale me Serbinë.

“Jam i bindur që çështja e asociacionit është pjesë e diskutimit fatkeqësisht por forma se si do të përfshihet në marrëveshjen finale dhe respektimi i plotë i gjykatës kushtetuese duhet të jenë limitet të cilat duhet të ecet para”, tha Abazi.

Mitrovica e Veriut.

Sipas tij, është në interes të Bashkimit Evropian që marrëveshja finale të arrihet sidomos pas konfliktit Rusi-Ukrainë.

“Të dyja janë pyetje shumë të vështira. E pat se si përdorën presionin e vizave për çështjen e targave. Instrumentet e presionit janë të shumta në dorën e BE dhe sigurisht që këto presione do të vazhdojnë por unë mendoj që është në interes të BE që marrëveshja finale të arrihet sidomos pas konfliktit Rusi-Ukrainë”, tha Abazi.

Themelimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë.

Dy vjet më vonë, të dyja ishin pajtuar edhe për parimet për themelimin e tij.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Siç parashikohet me marrëveshjet përkatëse, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të atyre komunave, në veçanti në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Marrëveshja fillestare për Asociacionin (e vitit 2013) thekson se Asociacioni do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore