Lajme

AAK: Shtatorin synojmë ta nisim me mocionin për rrëzimin e Qeverisë


Besnik Tahiri.

Sipas shefit të grupit parlamentar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, Qeveria aktuale ka qenë qeverisja më e dobët që ndonjëherë ka pasur Kosova.

Pas mbledhjes së kryesisë, Tahiri ka thënë se nuk do të votojnë ligjet, pasi që përpilimin e ligjeve e bëjnë në mënyrë anti-kushtetuese.

“Si grup parlamentar ne nuk do të bëjmë asnjë kuorum dhe nuk do të votojmë për ligje sepse u dakorduam që logjika e ligj-bërjes në këtë Kuvend realisht është ligj-bërje e kapjes së institucioneve të pavarura dhe mbi të gjitha të përpilimeve të ligjeve që janë anti-kushtetuese”.

“Kjo qeveri nuk meriton asnjë mbështetje në raport me ligj-bërjen, sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare ne e kemi votuar”, ka thënë Tahiri.

“Kjo qeveri meriton të shkoj në shtëpi, ne si opozitë duhet të përmblidhemi dhe ta shtyjmë mocionin tonë përpara. Ka një dakordim dhe një kuptim edhe nga partitë opozitare, mendoj që seancën në shtator duhet ta nisim me mocionin për rrëzimin respektivisht shkarkimin e kësaj Qeverie”.

Për mocionin mosbesues të AAK-së ndaj Qeverisë, Tahiri ka thënë se ka zhvilluar diskutime me opozitën e që nga ta është “shprehur gatishmëri.

Ai është shprehur optimist se ky mocion do të jetësohet në shtator.

“Unë kam pasur diskutime me shefat e grupeve parlamentare e po ashtu ka gatishmëri nga ta, ka po ashtu deputetë individualisht që kanë konfirmuar votën, por e kemi thënë qartë që ne nuk do ta bëjmë rrëzimin e Qeverisë me Listën Serbe”.

“Besojmë që mocioni do të jetësohet nga shtatori”, u shpreh ai.

Shefi i AAK-së, tutje ka thënë se ngjashëm siç ka qenë puna në Kuvendin e Kosovës ka qenë edhe puna e Qeverisë.

“Puna e Kuvendit ka reflektuar punën jashtëzakonisht të dobët të Qeverisë. Kjo Qeveri në vitin e tretë të qeverisjes po karakterizohet që është qeverisja më e dobët që ndonjëherë ka pasur në Kosovë”.

Më 5 korrik, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një konferencë për media, kishte thënë se gjatë mbledhjes së partisë kishin vendosur për krijimin e disa strukturave për t’u përballur me situatën politike dhe të sigurisë në Veriun e Kosovës, përfshirë këtu edhe krijimin e një “qeverie të unitetit kombëtar”.

Haradinaj ka thënë se një “qeveri e unitetit kombëtar” në përbërje prej të gjitha partive parlamentare, përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje – aktualisht udhëheqë me ekzekutivin – do ta kthente Kosovën në normalitet, ndërsa e ka përjashtuar nga ky “ekuacion uniteti” kryeministrin Albin Kurti.

Më 21 korrik, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për pagën minimale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore