Lajme

Askush s’e kupton përse Qeverisë i pengon dërgimi i Ligjeve për vlerësim të Kushtetutshmërisë


Foto: Albanian Post.

Pesë ligje të cilat janë miratuar në Kuvendin e Kosovës aktualisht janë duke u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese, të dërguara aty nga partitë opozitare nën pretendimet se të njëjtat janë në kundërshtim me Kushtetutën.

Por, dërgimi i ligjeve në Gjykatë për shqyrtim po i pengon pushtetit, duke e konsideruar si akt pengues për qeverinë.

Të befasuar me këtë qasje të qeverisë janë njohës të çështjeve juridike të cilët nuk shohin racionalitet në idenë e kundërshtimit të dërgimit të ligjeve për vlerësim në Kushtetuese.

Madje, ata vlerësojnë se e kundërta është e vërtetë, pasi përmes vlerësimit të kushtetutshmërisë së ligjeve, mundësohet vërtetimi se asnjë nga ligjet nuk i ikën apo bie në kundërshtim me Kushtetutën.

Ligji për Paga në sektorin publik, Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, Ligji për zyrtarët publikë, Ligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg si dhe Ligji për Pagën minimale janë ligjet të cilat aktualisht po shqyrtohen nga Kushtetuesja.

“E drejtë legjitime që të vlerësohet kushtetutshmëria e një ligji”

Gjyqtari në Gjykatën e Apelit, Hasan Shala, në një bisedë për Albanian Post, thotë se ekzekutivi i Kosovës, është gabim në rast se ka përshtypjen që dërgimi i ligjeve në Gjykatën Kushtetuese i afekton ato.

“Dërgimi i një ligji që të vërtetohet kushtetutshmëria është e drejtë legjitime, prandaj kjo duhet të bëhet pa hatërmbetje si nga pozita ashtu edhe nga opozita. Kur dërgohet një ligj Gjykata Kushtetuese është kompetente ta vlerësojë kushtetutshmërinë e atij ligji, prandaj këtu unë nuk mendoj që ka ndonjë pengesë edhe pse pushteti po e vlerëson ashtu”, thotë Shala për AP.

“Është e drejtë legjitime që të vlerësohet kushtetutshmëria e një ligji”, deklaroi Shala, duke marrë shembull rastin e fundit me Ligjin për Pagën Minimale, i cili u dërgua për vlerësim në Kushtetuese nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“Ligji për pagën që nuk është nënshkruar akoma nga presidentja dhe ka një afat 8 ditë për të vendosur lidhur me të. Gjykata Kushtetuese është e obliguar që të vendos në një afat sa më të shpejt që është e mundur, pra asgjë s’ka të keqe këtu”.

Gjykata Kushtetuese.

Shala shpjegoi se në raste si ky i fundit, kur presidentja nuk e nënshkruan, vendimet nga Kushtetuesja merren “në procedurë të shpejt”.

Mirëpo, në rastet kur presidentja e nënshkruan një ligj procedurat e rishikimit të ligjeve shkojnë më gjatë.

Shala, e përsërit që s’mund të ketë “asgjë negative” nëse dërgohet një ligj në Kushtetuese.

“Mënyra se si po reagojnë pushteti ka kuptim politik, ne si juristë s’guxojmë të mendojmë ashtu. Pasi që përmes kësaj mënyrë sqarohet nëse ligjet janë në kundërshtim me Kushtetutën apo jo”.

“Unë më të vërtetë jam i habitur sepse kjo është legjitime, s’mund të ia mohosh dikujt e as nuk ke të drejtë të bësh ankesë e as të kërkosh llogari se përse e kanë bërë një gjë të tillë”.

“Kjo legjislaturë ka pasur qasjen më shpërfillëse në raport me Kushtetutën”

Ndërsa, hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (KDI), Gëzim Shala, potencoi për Albanian Post se numri i ligjeve të Kuvendit që janë dërguar nga opozita për vlerësim në Kushtetuese është shumë i lartë në këtë legjislaturë, sesa në legjislaturat e kaluara.

Por, prapë, edhe Shala, deklaron se nuk ka asgjë të keqe në dërgimin e ligjeve në Kushtetuese.

“Duhet theksuar faktin se numri i ligjeve të Kuvendit që janë dërguar nga opozita për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese është konsiderueshëm më i lartë në këtë legjislaturë, në raport me legjislaturat paraprake. Përderisa kjo është mundësi kushtetuese që i takon deputetëve, në vetvete, inicimi i ligjeve në Gjykatë Kushtetuese nuk mund të konsiderohet diçka negative”, thotë ai për Albanian Post.

Jo të pakta janë edhe rastet kur Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, s’kanë respektuar Kushtetutën me rastin e miratimit të ligjeve.

“Realisht, kjo legjislaturë është ndër legjislaturat që ka pasur qasjen më shpërfillëse në raport me kushtetutën. Duhet theksuar këtu Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i cili është shpallur kundër kushtetuese, apo edhe Projektligjet në proces, siç është Projektligji i ri për Ndryshimin e Ligjit për KPK, Projektligji për Ndryshimin e Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, Projekt Kodi Penal dhe Projekt Kodi i Procedurës Penale”.

Kuvendi i Kosovës.

Ai sqaron se ka pasur ligje të cilat kanë qenë kundërkushtetuese dhe janë miratuar në Kuvend, por që të njëjtat nuk janë dërguar në Kushtetuese.

“Fatkeqësisht, ka pasur ligje kundër kushtetuese të cilat janë miratuar në Kuvend e të cilat nuk janë iniciuar nga opozita për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese. I tillë është ligji përmes të cilit Agjencia për Ndihmë Juridike Falas është politizuar, duke u futur nën ombrellën e Ministrisë së Drejtësisë”.

E vetmja gjë negative në raste të tilla është se deri në vendimin e Kushtetueses, ligjet e atakuara pezullohen automatikisht.

“Në këto raste, sipas nenit 43.3. të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Gjykata Kushtetuese obligohet që të vendosë brenda 60 ditëve. Fatkeqësisht, ky afat nuk është zbatuar nga ana e Gjykatës Kushtetuese”.

Por, Shala thekson se problem ka edhe në vetë Ligjin për Gjykatën Kushtetuese.

“Në këtë drejtim, pos mos efikasitetit të Gjykatës Kushtetuese, konsiderohet si problematike edhe vetë Ligji për Gjykatën Kushtetuese, që në këto raste, 10 apo më shumë deputetëve u jep mundësi që, automatikisht, pa një vendim të Gjykatës Kushtetuese për masë të përkohshme, të pezullojnë hyrjen në fuqi të ligjit, deri në momentin e vendosjes nga ana e Gjykatës Kushtetuese”.

Kur u dërguan këto ligje në Gjykatën Kushtetuese?

Ligji i fundit që u dërgua në Gjykatën Kushtetuese është ai për pagën minimale, të cilin e dorëzoi Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me 21 korrik.

Më 15 korrik, për këtë ligj kishte protestuar edhe Organizata e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Arsye tjetër ishte edhe lënja jashtë e veteranëve nga Ligji për Pagën Minimale, i cili u miratua në seancën e së enjtes.

Nga AAK-ja ishte thënë se janë adresuar tri çështje që janë të rëndësishme, e para ka të bëjë me këshillin ekonomik social i cili përcaktohet me ligjin e punës, cështja e dytë ka të bëjë me diskriminimin e palëve të cenueshme, kurse e treta ka të bëjë me veteranët e luftës.

Më 7 prill nga Avokati i Popullit ishte dërguar edhe Ligji për Pagat në Sektorin Publik, kjo pasi ishte thënë se për këtë ligj janë pranuar 104 ankesa.

 

Dorëzimi i Ligjit për Pagën Minimale në Kushtetuese nga AAK-ja.

Më 21 shkurt, Partia Demokratike e Kosovës kishte dërguar në Kushtetuese Ligjin për Byronë Shtetërore për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme në Gjykatën Kushtetuese.

Ky ligj ishte miratuar në fillim të shkurtit.

Me miratimin e këtij ligji krijohet mekanizmi për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme pa pasur nevojë për një dosje penale që ka përfunduar me një dënim nga gjykata.

Të njëjtin fat e kishte edhe Ligji për zyrtarët publikë, i cili një javë pas miratimit, më 31 dhjetor 2022, u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga 11 deputetë të PDK-s e 10 deputetë të LDK-së.

Edhe në nëntor te vitit 2022, Ligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg u dërgua në Kushtetuese nga deputetët e LDK-së.

Kurse më 24 mars 2023, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë, të ushtruar nga deputetët e PDK-së dhe LDK-së, vitin e shkuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore