Lajme

AAK: Nuk jemi pjesë e organizmit të protestës kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike


Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka bërë të ditur se nuk do të jetë pjesë e organizimit të protestës së të shtunës kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk është pjesë e organizmit të protestës së të shtunës, kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike”, thuhet në njoftimin e AAK-së.

Edhe pse, përsëri ka apeluar tek ekzekutivi që të largohet shtrenjtimi i rrymës.

“Ne kuptojmë shqetësimin e secilit për këtë çështje, njëherësh prapë i bëjmë thirrje Qeverisë që të tërhiqet nga shtrenjtimi i rrymës”.

Po ashtu, ka kërkuar që të respektohen masat antiCOVID19 gjatë mbajtjes së protestës.

Njëra nga protestat e PSD-së.

“Gjithashtu, ne respektojmë vullnetin e secilit për pjesëmarrje në këtë protestë dhe apelojmë që të respektohen masat antiCOVID”, thuhet në njoftimin e AAK-së.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se nuk do të marrin pjesë në protestën kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike, e cila organizohet këtë të shtunë nga Partia Social Demokrate.

Kështu kishte bërë të ditur më 20 janar përmes një komunikate për shtyp PSD.

“Qeveria ka marrë anë. Është reshtuar me bizneset e mëdha private. Të vetmit që nuk do të preken nga rritja e rrymës. Është koha të marrim anë edhe ne. Ne qytetarët që do t’ua paguajmë rrymën oligarkëve. Është koha të organizohemi kundër kësaj padrejtësie”, thuhet në komunikatën e PSD-së.

Propozimi i ZRRE-së ka qenë që rryma të shtrenjtohet në përgjithësi me 9 për qind, derisa nëse kalohet shifra prej 600 kilovatë orë (e cila gjatë dimrit gjithmonë kalohet) të futet në përdorim bllok-tarifa.

Me sistemin e bllok-tarifës rryma paguhet gati trefish më shumë sesa çmimi i saj paraprak.

Proporzimi i ZRRE-së për shtrejntimin e energjisë elektrike

Qeveria nuk e ka kundërshtuar këtë propozim të ZRRE-së, veçse ka dhënë subvencione 75 milionë euro, duke rrafshuar rritjen prej 9 për qind, por duke lënë në funksion bllok-tarifën.

Nëse mbetet kështu, konsumatorëve në Kosovë iu bie të paguajnë energji elektrike shumëfish. Ata paguajnë faturën e rregullt, pastaj bllok-tarifën, paguajnë përmes taksave subvencionin e qeverisë dhe paguajnë po ashtu rrymën që shpenzohet në Veri, të cilën nuk e paguajnë serbët që jetojnë atje dhe krejt në fund paguajnë humbjet teknike të energjisë në rrjet, të cilat KEDS-i ua fut në tarifën e përgjithshme.

Për shkak të kësaj situate, është mbajtur edhe një seancë parlamentare e thirrur nga opozita.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore