Kosova

AAK-ja kërkon mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti


Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një konferencë për media të mërkurën pas mbledhjes së kryesisë së partisë, njoftoi se qëndrimi i kësaj parti është që të iniciohet mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së Kosovës të drejtuar nga Albin Kurti.

“Të iniciohet mocion mosbesimi për kryeministrin Kurti. Mocioni i mosbesimit bazohet në zhvillimet e fundit. E para ka të bëjë me rrezikimin e sovranitetit dhe sigurisë në veri dhe e dyta është prishja e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian”, tha Haradinaj.

Ai tha se kryeministri Kurti është përgjegjës për situatën e krijuar në pjesën veriore të Kosovës, ku protestuesit serbë përgjatë ditëve të fundit janë përplasur me Policinë e Kosovës dhe misionin paqeruajtës të NATO-s (KFOR), në përpjekje për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj në zyre.

“Kryeministri Kurti në vend që të bashkpunojë më SHBA-në, pra me planin e tyre për integrim të veriut, ka vazhduar me një plan të vetin, për të nxitur konflikt në veri që është interes i Rusisë dhe i [Presidentit Vladimir] Putin”, shtoi ai.

Këto komente kreu i AAK-së i bëri pas “përplasjes” së kryeministrit Kurti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veçanërisht pas “goditjes” që Kurti ia dha Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, duke e quajtur “naiv” dhe të “gabuar”. Për ish-kryeministrin Haradinaj, kreu i ekzekutivit është në të njëjtën linjë me Rusinë.

“Ajo që po ashtu e bën këtë situatë shumë të keqe është pafytyrësia e Kurtit që në emër të Kosovës t’i drejtohet përmes mediave Blinkenit me atë fjalor. Kurti ka shkuar në ekstrem me një komunikim fyes për aleatin tonë kryesor të sigurisë”, shtoi ai.

Me një të tretën (1/3) e deputeteve të përgjithshëm të Kuvendit të Kosovës apo me nënshkrimet e 40 deputeteve të Kuvendit të Kosovës mund të kërkohet që të vihet në votim mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës.

Ndryshe, të mërkurën vazhdoi tubimi i serbëve para objekteve komunale në veri të vendit për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj në zyra. Përveç njësiteve elitare policore të Kosovës, një prani e shtuar e ushtarëve të KFOR-it – kryesisht trupa amerikane – janë vendosur para objekteve të komunave në këtë zonë.

Dhjetëra pjesëtarë të KFOR – kryesisht hungarezë dhe italianë – u lënduan gjatë një ndërhyrjeje për t’i shpërndarë protestuesit serbë në Zveçan të hënën. Pasi paqeruajtësit e NATO-s kërkuan nga protestuesit të shpërndahen, ata nuk pranuan dhe hodhën gurë, shok-bomba e koktej molotovi.

Gjithashtu, veturat e ekipeve të gazetarëve kosovarë janë dëmtuar të hënën dhe të martën nga persona të panjohur në Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan. Veturave u janë shpërthyer gomat dhe në to janë vizatuar simbole nacionaliste serbe. Janë dëgjuar edhe këngë shoviniste.

Derisa Serbia lëvizi ushtrinë në afërsi të Kosovës, komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten, nën urdhrat e qeverisë, filloi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të tri komunave veriore.

Aktualisht, në veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja atje nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa bandat e dirigjuara nga Beogradi i kërcënojnë me rezistencë institucionet kosovare që po mundohen të integrojnë komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore