Kosova

AAK-ja e dorëzon në Kushtetuese Ligjin për pagën minimale: Adresuam tri çështje


Shefi i grupit parlamentar të Aleancës të Ardhmërisë së Kosovës, Besnik Tahiri.

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës të Ardhmërisë së Kosovës, Besnik Tahiri, ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale.

Ai në një konferencë për media ka thënë se përmes kësaj kërkese kanë paraqitur tri kërkesa.

“I kemi adresuar tri çështje që janë të rëndësishme, e para këshilli ekonomik social i cili përcaktohet me ligjin e punës dhe i cili asnjëherë nuk është konsoltuar sa i përket pagës minimale tregon për një shkelje flagrante që Qeveria e Kosovës e ka bërë”.

“E dyta është diskriminimi i palëve të cenueshme, pra të verbërve të paraplegjikve dhe tetraplegjkve të cilët nuk janë përfshirë dhe janë larguar nga këtu ky është një diskriminim dhe shkelje e drejtpërdrejt e vlerave dhe të drejtave të njeriut që e përcakton Kushtetuta e Republikës së Kosovës”.

Ndërsa çështja e tretë, Tahiri ka thënë se është ajo e veteranëve që përfaqëson “vlera të Kosovës”.

“E treta lidhet me veteranët e Kosovës. E cila jo vetëm është shkelje por lidhet drejtpërdrejt edhe me vlerat që kjo kategori përfaqëson presim nga Kushtetusja që ta vlerësoj dhe jemi të bindur që ky rast do t’i thyej dy padrejtësi. E para me mashtrimin flagrant të shumës minimale, i bëj pyetje publik kryeministrit të Kosovës dhe ministrit të Financave të na tregoj se kush e ka sot pagën 260 euro”.

Sipas Tahirit, “ky ligj që është miratuar nuk ka asnjë impakt në terren”.

Më 15 korrik, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka protestuar në Prishtinë kundër Ligjit për pagën minimale.

Kjo protestë ishte thirrur dy ditë pas miratimit të Ligjit për pagën minimale, në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, më 13 korrik.

Ky ligj parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro, apo 250 euro neto, nga 130-170 sa është aktualisht.

Vlera e pagës minimale në Kosovë, nuk ka ndryshuar që nga viti 2011 dhe është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat.

Mirëpo veteranët e UÇK-së janë të pakënaqur për mospërfshirjen e tyre në këto ndryshime.

Ata patën protestuar edhe në qershor të vitit të kaluar, duke kërkuar që ndryshimet ligjore të mos miratohen derisa të mos amendamentet dokumenti.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi të shtunën se mbështet dhënien e sa më shumë përfitimeve për veteranët e luftës së fundit në Kosovë.

Por, që sipas tij, këto përfitime nuk janë pagë.

“Paga është për punë, ndërkaq përfitimet janë mirënjohje e shoqërisë, e cila i jepet veteranit të luftës për luftën çlirimtare, fitimtare, e cila është në burim të shtetësisë, pavarësisë e lirisë sonë”.

Kreu i ekzekutivit po ashtu deklaroi se do të angazhohet në ligj të ri për veteranët, por që fillimisht faktet duhet të jenë të sakta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore