Kosova

A mashtroi Kurti? – Ish ministrat zbërthejnë për AP-në deklaratën e kryeministrit


Përderisa oponentët politikë dhe ekonomistët e kanë kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin se “i ka palosur mbi 700 milionë euro në llogari bankare të Qeverisë”, në kohën kur Kosova përballet me inflacion të lartë – ky i fundit habiti të gjithë të shtunën kur deklaroi se ekzekutivi i tij ka mundësuar hapjen e 40 mijë vendeve të punës.

Ndërsa kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, i kishte shkruar letër Kurtit dhe ministres së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, duke i dhënë alarmin se “shumë kompani rrezikojnë të falimentojnë”.

A u hapën 40 mijë vende të punës?

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, e cilëson “mashtrim ordiner” deklaratën e Kurtit për hapjen e vendeve të punës.

“Si hapen vendet e punës pa investime”, thotë Shatri për Albanian Post.

Madje sipas tij, edhe ato vende të punës që kanë qenë të hapura, “janë mbyllur”.

“Ata që kanë pasur kontrata për punë kryerje për këto investimet kapitale që financohen prej buxhetit të shtetit Qeveria i ka bllokuar. Shumica e firmave 60 për qind të punëtorëve i kanë dërguar në shtëpi. Investime të huaja nuk ka pasur, investime nga buxheti i Kosovës nuk janë realizuar hiç e ku u hapen ato vende të punës ku, kush fillojë të punoj”.

Haki Shatri

Shatri, mendon se Qeveria e ka shfrytëzuar një të dhënë statistikore të vitit të kaluar, e ku thuhet se ka ma pak punëkërkues se dy vjet më parë.

“Ata kanë shkuar jashtë. Ky është një mashtrim që ia bëjnë popullit. Po është e vërtet që ma pak se ata njerëz janë shkuar jashtë. Edhe ato vende që i ka pas të lejuar me buxhet nuk i ka shfrytzuar, mbi 5 mijë vende janë të lira”.

Prandaj, profesori i ekonomisë, shton se Qeveria “po e manipulojnë opinionin”.

“Në asnjë qytet nuk është duke u punuar asgjë. Punët kanë filluar, kjo Qeveri i ka ndaluar”.

Edhe ish-ministrja tjetër e Financave, Hykmete Bajrami, tani deputete e LDK-së, është me një linjë me Shatrin, thotë se nuk është e vërtetë që është rritë punësimi për 6.9 për qind në fund të vitit 2021.

“Raporti Vjetor i Auditimit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021, në faqe 78 thotë: 62,417 veta janë angazhuar nga KQZ në procesin e zgjedhjeve parlamentare të mbajtura me 14 shkurt 2021 dhe në zgjedhjet lokale të mbajtura në muajt tetor dhe nëntor 2021”, thekson ajo për Albanian Post.

Hykmete Bajrami

Pakoja për përballje me inflacionin

Ndryshe kryeministri i Kosovës, Albin Kurit, gjatë muajit shtator pati prezantuar pakon e re ekonomike që synon mbështetjen e qytetarëve për t’u përballur me krizën inflacionare në vend.

Pika e parë e pakos, sipas Kurtit do të përqendrohet te të gjithë ata të cilët kursejnë energji elektrike.

“Nisur nga gjendja e rënduar me energji, sot më shumë se kurrë është e domosdoshme të kursejmë, andaj do të subvencionojmë ata që do të kursejnë energjinë elektrike. Për aq sa kursehet në raport me të njëjtin muaj të vitit paraprak ne do të subvencionojmë dy fish faturën”, kishte thënë Kurti.

Më tej i pari i ekzekutivit ka bërë të ditur se qeveria do të procedojë në Kuvend, Projektligjin për Punë publike, e cila parasheh kompensimin për inflacion për materialet ndërtimore dhe punët përcjellëse për kontratat ekzistuese të punës.

“Kjo me qëllim të përshpejtimit të dinamikës së implementimit të projekteve kapitale”, kishte shpjeguar ai.

Pakoja e re, sipas Kurtit parasheh ndarjen e një shume prej 100 eurosh për pensionistët, kurse familjeve me asistencë sociale mbështetje duke dyfishuar shumën e asistencës për një muaj.

Inflacioni në Kosovë

Inflacioni për muajin korrik ka arritur në 14.2 për qind në raport me muajin korrik të vitit të kaluar.

Kështu të paktën ka bërë të ditur Agjencioni i Statistikave të Kosovës.

Sipas ASK-së, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit, është më i lartë në një mesatare prej 0. 9 për qind në muajin korrik 2022, krahasuar me muajin qershor të po këtij viti.

Kjo rritje e çmimeve është kryesisht te shërbimet për transport 9.4 për qind, lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. 7.4 për qind.

Shifrat e Albin Kurtit: Kemi hapur 40 mijë vende pune – investimet e huaja për 1 vit tejkalojnë 400 milionë euro

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore