Lajme

A ka shërim shëndetësia e sëmurë e Kosovës? – Intervistë me Baki Ejupin, Specialist i Mjekësisë së Përgjithshme në NHS të Britanisë së Madhe


Mjeku Baki Ejupi i punësuar në Shërbimin Kombëtar Spitalor Britanik.

Baki Ejupi është mjek-specialist i Mjekësisë së Përgjithshme.

Ai punon në Shërbimin Kombëtar Spitalor Britanik. Nga Kosova u largua në vitin 1999.

Duke qenë vetë mjek i larguar, edhe pse në rrethana dhe për arsye krejt tjera, Ejupi mund ta ketë një ide pse po largohen sot specialistët e mjekësisë nga Kosova dhe përse s’po kthehen ata që u larguan dikur.

Në këtë intervistë për Albanian Post ai flet edhe për rrugëtimin e tij profesional. “S’ka qenë aspak i lehtë”, thotë.

Kosova në sektorin e shëndetësisë mbase është më keq se në gjithë sektorët e tjerë. Jo veç mjekë, por mezi u gjet një ministër për të udhëhequr. Edhe ai, riciklim nga e kaluar pas tre muajve vakum.

Ejupi i di problemet e shëndetësisë kosovare. I përcjellë vazhdimisht zhvillimet, por s’është i sigurt se i ka edhe zgjidhjet.

Ai, aq sa mundet, thotë se vazhdon të jetë entuziast që të kontribuoj në Kosovë.

Një formë e këtij kontributi është edhe themelimi i Shoqatës Mjekësore Shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar (The United Kingdom Albanian Medical Society, UKAMS), bashkë dhe me mjekë të tjerë shqiptarë që jetojnë atje.

 

Intervista e plotë e Baki Ejupit për Albanian Post:

Albanian Post: Doktor Ejupi, kush jeni për ata që nuk ju njohin dhe çfarë nuk iu ofroi Kosova që sot profesionin tuaj e ushtroni në Shërbimin Kombëtar Spitalor Britanik?

Baki Ejupi: Unë jam Dr. Baki S. Ejupi, punoj dhe jetoj në Londër. Jam specialist i Mjekësisë së Përgjithshme dhe për më tepër kam interes të ngushtë klinik për sëmundjen e diabetit, kurse e gjithë familja ime është pothuajse në Kosovë.

Ardhja ime në Mbretërinë e Bashkuar (MB), nuk ishte e dëshiruar apo planifikuar. Si mijëra kosovarë tjerë edhe unë isha i dëbuar nga Kosova prej regjimit serb të asaj kohe. Unë erdha në Angli prej një kampi refugjatesh kosovarë në Maqedoni, në fund të prillit të vitit 1999.

Albanian Post: Pse pikërisht zgjodhët Shërbimin Kombëtar Spitalor Britanik?

Baki Ejupi: Unë kisha përfunduar Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, Shërbimi Kombëtar Shëndetësor (The National Health Service, NHS), është punëdhënësi më i madh në Mbretërinë e Bashkuar. Të gjithë profesionistet mjekësor ndërkombëtar duhet të kalojnë procesin e baraz-vlerësimit dhe nostrifikimit profesional, por edhe të ushtrojnë profesionin përmes NHS, prandaj kjo ishte rruga e vetme përmes së cilës unë kisha mundësi të kyçem si mjek këtu.

NHS, është një institucion i madh dhe prestigjioz, i themeluar në korrik të vitit 1948, me përvojë të gjatë dhe unik në ofrimin e shërbimeve mjekësore për të gjithë banorët e Mbretërisë së Bashkuar. Si i tillë, NHS përben një platformë fantastike, për çdo profesionist mjekësor, për të ushtruar dhe zgjeruar aktivitetin klinik dhe shkencor.

Albanian Post: Nga këndvështrimi juaj, si e shihni shëndetësinë në Kosovë. Çfarë shërbime mendoni që i ka në nivelin e duhur dhe çka duhet të përmirësohet?

Baki Ejupi: Unë nuk kam punuar në Kosovë pas lufte, andaj ka mundësi që edhe të jap vlerësime të gabuara dhe jo korrekte, por nga komunikimet që unë kam me familjarë, miq dhe kolegë, problemet janë të ndryshme dhe të shumëfishta. Financimi është vetëm një faktor, me gjasë edhe kryesor, buxheti i vogël për shëndetësi dhe mungesa e sigurimit shëndetësor pamundëson financimin e shërbimeve cilësore dhe të mjaftueshme.

Shërbimi Kombëtar Spitalor Britanik.

Por, edhe qasja e barabartë e popullatës në këto shërbime. Ngritja dhe përditësimi profesional dhe etik i stafit mjekësor dhe edukimi shëndetësor i popullatës janë faktorë të tjerë esencial, duhet po ashtu theksuar se zhvillimi i ekonomisë dhe shëndetësisë janë ngushtë të ndërvarura.

Albanian Post: Largimi i mjekëve është dukuri që e ka përcjellur Kosovën ndër vite…

Baki Ejupi: Largimi i të rinjve, duke përfshirë edhe profesionistëve mjekësorë, është shumë i dhimbshëm dhe varfërues për Kosovën. Pasi, largimi im nga Kosova nuk ishte i dëshiruar apo i planifikuar. Sido që të jetë, do të ishte jo korrekte që unë të gjykojë kolegët që duan të lënë Kosovën për arsye nga më të ndryshmet, personale, financiare, apo profesionale. Por, janë disa fakte që unë dua të ndajë me lexuesit tuaj dhe kolegët e mi të nderuar.

Transferimi në profesion nga Kosova në vendet perëndimore nuk është i lehtë, jo i mundshëm për të gjithë dhe kërkon shumë punë e sakrificë. Pa dyshim dhe fatkeqësisht, Kosova jonë po kalon nëpër një fazë të vështirë, por unë dua të besoj se me punë dhe durim në një të ardhme të afërt, Kosova do të ofrojë po ato të mira që pjesa tjetër e Evropës ofron tani.

Albanian Post: Duke e pasur parasysh që Kosova është vendi juaj, a mendoni të ktheheni dhe të kontribuoni në vendlindje ndonjëherë?

Baki Ejupi: Po, pa dyshim, se unë dhe shumë kolegë që njoh duam të kontribuojmë e pse jo edhe të kthehemi në Kosovë. Ne kemi zgjedhur një formë nga distanca për të kontribuuar në Kosovë dhe kemi shumë plane të kontribuojmë edhe më shumë.

Disa vite më parë, unë me disa kolegë të tjerë bashkëthemeluam Shoqatën Mjekësore Shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar (The United Kingdom Albanian Post Medical Society, UKAMAS). Tani UKAMS, mbledh rreth vete qindra profesionistë mjekësorë nga mbarë trevat shqiptare dhe përbën një platformë të mirë të njohjes dhe ndihmës së ndërsjellë.

Nëpërmes UKAMAS, unë dhe shumë kolegë tjerë, kemi ndihmuar me donacione por edhe me ekspertizën tonë, në Kosovë dhe Shqipëri, sikur që është rasti i fundit duke dhënë kontributin tonë në debatet e lidhur me COVID-19.

Disa javë më parë, Dr. Ernese Xhafa-Hamiti, specialiste e Onkologjisë, kishte takim me kolegët e saj nga Klinika e Onkologjisë në QKUK ku kishin përpiluar protokolle klinike për shumë lloje të sëmundjeve kancerogjene të bazuara në evidencën e fundit klinike dhe përvojën e saj ditore të punës në BM.

Bashkëshortja ime, Nebahate Cakolli-Ejupi, Psikoterapeute në NHS, në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për rehabilitim të viktimave të torturës (KCRT), është në përfundim e sipër të manualit për të mbijetuarit sekondarë të traumës psikologjike.

Ky manual do të përdoret për të mbështetur të mbijetuarit sekondare të traumës psikologjike, e që janë familjarët që jetojnë dhe mbështesin të mbijetuarit e traumave fizike dhe psikologjike të luftës. Ky manual do të përdorët po ashtu nga punëtorët shëndetësor që punojnë me këto viktima.

Së fundi unë në Londër, Dr. Ernese Xhafa-Hamiti, Dr. Vera Ora specialiste e shëndetit mental, bashkëthemelues dhe president i UKAMS dhe specialistit i Mjekësisë së Përgjithshme Dr. Sabri Trepça, Dr. Besnik Nurboja zhvilluam një takim me U.D e ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha Bunjaku e cila na njoftoi me planet e qeverisë për të konsoliduar dhe përmirësuar shërbimin shëndetësor në Kosovë.

Dakordimi në këtë takim ishte që me mbështetjen e Qeverisë aty ku është nevoja të vendosim kontakte me kolegët tonë përkatës, ekuivalentë, me qëllim që secili nga ne të ndajë përvojën tonë dh ofrojë trajnime në fushat tona eksperte me kolegët tonë në Kosovë.

Kurse, jashtë profesionit mjekësor, në nivel individual e human disa herë në bashkëpunim me miq e kolegë, kam mbledhur donacione për individë apo organizata të ndryshme në Kosovë, sikurse që është rasti këtë vit, duke ofruar një donacion financiar për Klinikën Pediatrike në QKUK që trajton fëmijët me leukemi.

Albanian Post: Keni dy dekada që punoni si mjek në Britani dhe tri gjithsejtë larg Kosovës, si do ta përshkruanit këtë rrugëtim tuajin?

Baki Ejupi: Ka shumë, ngase unë besoj se jeta na sfidon në çdo hap, duke na dhënë mundësi të reflektojmë, mësojmë dhe ndryshojmë për të mirë. Kisha me i përmend dy sepse janë të ndërlidhura.

Mënyra e largimit nga Kosova ishte mjaftë traumatike dhe pasi erdhëm në Mbretërinë e Bashkuar për ne u kujdesen shumë mirë një organizatë joqeveritare me emrin Refugee Action. Shumë shpejt, unë fillova të punoj për Refugee Action, fillimisht si këshilltar e mandej si menaxher operacional.

Kjo ishte një përvojë më të vërtetë unike në shumë nivele. Kjo përvojë më dha mundësinë që ta përvetësoj gjuhën angleze dhe të mësojë kulturën angleze të punës por gjithashtu isha në pozitë të njoh dhe të ndihmoj nga aferë kosovarët e tjerë që Qeveria e Mbretërisë së Bashkuara i kisha pranuar për shërim (fëmijë me sëmundje kancerogjene apo të plagosur rëndë të luftës), si pjesë e Programit Kosovar të Evakuimit Medikal.

Më vonë, përmes rolit tim, unë isha në gjendje të ndihmoj njerëzit të kulturave dhe vendeve tjera që tani përjetonin traumën time kur unë u largova nga Kosova.

Përvoja e dytë ishte pak vite më vonë, kur unë fillova të punoj si mjek. Kjo ishte një përvojë e ndryshme, padyshim se profesionalisht shumë sfiduese, por shumë e dëshiruar dhe e dobishme. Tani kisha mundësinë të integrohem në një sistem shumë të avancuar mjekësor, ku edhe e ushtroj profesionin për gati 20 vjet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore