Kosova

A është ky paralajmërimi se Kosova mund të jetë pjesë e OKB-së?


Mbledhja e 18 tetorit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në New York të SHBA-ve, pa si temë të diskutimit pikërisht çështjen e Kosovës – siç është bërë edhe traditë tashmë në organin e lartë të OKB-së, ku çdo gjashtë muaj raportohet mbi ecurinë e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

Shumë u tha në mbledhjen e gjatë rreth tre orë, ku të gjitha palët folën.

Por, një çast interesant nga gjithë ngjarja, ka qenë përjetësimi i një momenti, kur fotografi zyrtar i OKB-së, ka fiksuar imazhin e ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, teksa shtrëngonte dorën e Përfaqësueses Speciale të Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP), ambasadoren Caroline Ziadeh.

Duke marrë shkas mbi faktin se Kosova ende nuk është anëtare në OKB, publikimi i këtij imazhi në faqen zyrtare të organizatës, pa diskutim që mbart peshën e një simbolike të veçantë.

Ziadeh, është një diplomate libaneze, e cila për shumë vite ka shërbyer në pozita të larta në shërbimin diplomatik të Libanit.

Edhe pse Libani akoma nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, më 18 shkurt, një muaj pas ardhjes në Kosovë të ambasadores Ziadeh, kryeministri libanez, Najib Mikati, ka pranuar që të zhvillojë një takim kokë më kokë me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Me titull zyrtar, ambasadorja Ziadeh është jo vetëm PSSP, por edhe shefe e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK.

Pasi që UNMIK-u nuk ushtron më detyra administrave, Ziadeh duket e përkushtuar në ushtrimin e detyrave të saja si PSSP, ose siç mund të quhet në realitet, ambasadore e Sekretarit të Përgjithshëm, Antonio Guterres.

Sipas burimeve konfidenciale të Albanian Post pranë OKB-së, ambasadorja Ziadeh gëzon edhe besimin dhe mbështetjen e plotë të Guterres, duke qenë e dërguara e tij.

Thënë kjo, vetë Sekretari, inkurajon një bashkëpunim në rrafshin politik me institucionet e Kosovës, në përputhje me rrethanat e reja të krijuara në Kosovë dhe zhvillimet e fundit atje.

Ndaj, a mundet ky të jetë një paralajmërim se Kosova shumë shpejt, mundet të jetë pjesë e OKB-së?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore