Sport

Mourinho, trajneri që “i gëzohet” shkarkimeve


Jose Mourinho është një nga trajnerët më të mirë në botën e futbollit. The Special One tashmë është shkarkuar nga drejtimi i Tottenham-it, ekip me të cilin nënshkroi në nëntor të 2019.

Mourinho ka pasur shumë sukese në karrierën e tij si trajner. Ai ka fituar disa trofe të rëndësishëm si Liga e Kampionëve, Premier Liga, La Liga, Seria A, Europa Liga etj. Por, ashtu siç ka pasur suksese, ka pasur edhe momente të vështira ku është shkarkuar nga detyra, për shkak të rezultateve të dobëta.

Portugezi pas 17 muajsh në stolin e Tottenham-it është shkarkuar, duke i dhënë fund aventurës në Londër. Një rekord negativ për karrierën e tij, që asnjë herë nuk kishte qenë kaq e shkurtër në një klub, përveç rasteve në fillimin e karrierës me Leiria-n dhe Benfica-n. Situata të ndodhura mbi 20 vite më parë.

Por, shkarkimi nga Tottenham-i, ashtu si dhe shkarkimet e mëparëshme nga Chelsea, Manchester United-i dhe Real Madrid-i nuk kanë qenë të këqija në aspektin ekonomik, për Mourinho-n.

Në vitin 2007, ai u shkarkua nga Chelsea, por prishja e kontratës i dha mundësin atij që të përfitonte 23 milionë euro. Në vitin 2013, ai ndërpreu kontratën me Real Madrid-in, një kontratë që zgjaste deri në 2016. Si pasojë, klubi i dha teknikut 20 milionë euro.

Rikthimi te Chelsea në 2013 gjithashtu i solli të ardhura nga prishja e kontratës në 2015, një kontratë e parashikuar për të zgjatur deri në 2019. 14 milionë euro përfitoi Mourinho nga kjo ndërprerje e kontratës.

Më pas ai kaloi te Manchester United-i dhe në vitin 2018, përfundoi duke u shkarkuar edhe nga Djajt e Kuq. Por edhe këtu përfitoi jo pak, pasi mori 25 milionë euro.

Tottenham-i ishte ekipi i fundit që e shkarkoi portugezin dhe Mou duhet të marrë tashmë një shumë rreth 35 milionë euro, pasi kontrata i përfundon në 2023.

Shkarkimet e 58-vjeçarit kanë rezultuar të jenë “minier ari” për xhepat e tij. Ndërkohë që tashmë, mbetet të shihet se te cili klub do të shkojë për të vazhduar karrierën .

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore