Kosova

“Linja e jetës”, projekti që po parandalon vetëvrasjet


Gjithçka nisi si një iniciativë e organizatës jo qeveritare “Qips”, që vite më vonë gjeti përkrahje edhe nga Linja Holandeze “113” dhe Aleanca Evropiane Kundër Depresionit, sot qendra telefonike e parandalimit të vetëvrasjeve, “Linja e Jetës”, po shënon suksese të përditshëm me veprimtarinë e saj karshi kësaj dukurie.

Dorentina Podrimqaku – Koordinatore e qendrës “Linja e Jetës”

Dorentina Podrimqaku, koordinatore e këtij projekti, ka treguar për Albanian Post, se arsyet për të cilat persona të ndryshëm iu drejtohen kësaj qendre për ndihmë në parandalimin e përfundimeve fatale, janë subjektive.

“Arsyet janë komplekse, individuale dhe shumë subjektive. Sidoqoftë̈, ajo që e ndjenjë shumica e personave me mendime për vetëvrasje është një ndjenjë se nuk ka rrugëdalje për ta”, thotë ajo.

Qendra telefonike “Linja e Jetës” e cila funksion nga ora 18:00 deri në orën 02:00, për të gjithë personat të cilët si mundësi të zgjidhjes së problemeve e shohin eliminimin e vetës së tyre, garanton anonimitet të plotë për historitë e telefonuesëve.

“Për raste në “Linjë” nuk bisedojmë. Konfidencialiteti dhe anonimiteti i thirrësit për neve është kyç̧, prandaj kemi politika të ngurta interne të cilat synojnë që asgjë prej këtyre telefonatave intime të mos del në publik”, shton më tej, Podrimqaku.

Në anën tjetër, këngëtarja kosovare, Dafina Zeqiri, javë më parë ka publikuar projektin e saj “Duro” që si tematikë të këngës kishte kauzën e sensibilizimit për parandalimin e stigmës nga shoqëria, që iu shkaktohet personave me depresion dhe çrregullime të tjera, si dhe motivimin për jetë të kësaj kategorie.

“Duro” e shkuar nga rep artisti, Elinel, deri më tani numëron hiq më pak se 12 milionë klikime në YouTube, ndërsa pos kësaj, ky projekt, video klipi i së cilit u gjirua nën idenë e “Linjës së Jetës”, ka rezultuar suksesshëm, duke rritur numrin e telefonuesëve që kërkojnë ndihmë në këtë qendër.

“Kënga ka lënë shumë përshtypje në një pjesë të madhe të popullatës, dhe përfshirja e numrit të “Linjës” brenda video klipit, ka ndihmuar shumë në ekspozimin e resurseve ndihmëse për ta. Jemi shumë mirënjohës për Dafinën, e cila e ka përdorë platformën e saj për një kauzë shumë të rëndësishme, dhe shpresojmë se edhe artistët tjerë, do të ndjekin shembullin e saj”, thotë koordinatorja e “Linjës së Jetës”.

Atifete Jahjaga – ish Presidente e Republikës së Kosovës, pjesë e kampanjës “Ndeze Dritën”.

Mes të tjerash, kjo qendër këtyre ditëve ka publikuar kampanjën “Ndize Dritën”, pjesë e së cilës ishin personalitete të njohura publike si, ish presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga e gazetarja, Jeta Xharra.

Jeta Xharra – Gazetare hulumtuese, pjesë e kampanjës “Ndeze Dritën”.

Kjo kampanjë është një lloj thirrje drejtuar shoqërisë për të hedhur më shumë dritë mbi shëndetin mendor, në veçanti mbi vetëvrasjen.

“ ‘Ndize Dritën’ si kampanjë në vete, qëllim kryesor ka stimulimin e një̈ këndvështrimi më të informuar rreth shëndetit mendor, nxitjes së ndjenjës së përkatësisë̈, nxitjes për përfshirje, dhe sinjalizimin se e padukshmja nuk është̈ jo-ekzistente në rastin e shëndetit mendor. Video në fjalë, përveç qëllimit të mbledhjes së fondeve, ka pasur edhe qëllimin e ngritjes së ndërgjegjësimit rreth prezencës së dukurisë̈ së vetëvrasjes në shtetin e Kosovës”, thotë Dorentina Podrimqaku.

Ndërsa, të qenurit në dispozicion për 24 orë në shtatë ditë të javës, mbetet plani më konkret i qendrës telefonike “Linja e Jetës” për tu realizuar gjatë këtij viti, teksa kanë siguruar mbështetje nga Ambasada Gjermane në Prishtinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore