Shëndet

Ushqimet që duhet të eleminoni për sëmundjen e Alzheimerit


Sëmundja e Alzheimerit është një çrregullim progresiv dhe i pakthyeshëm i trurit, që dalëngadalë shkatërron kujtesën, aftësinë e të menduarit dhe eventualisht atë të kryerjes së veprimeve më të thjeshta. Në shumicën e rasteve, simptomat e para të sëmundjes nisin mes të gjashtëdhjetave.

Problemi i parë që vërehet në këto raste është harresa. Pacientët harrojnë të kryejnë detyrat më të thjeshta jo vetëm në shtëpi, por edhe në punë. Sëmundja shkakton konfuzion, përhumbje dhe vështirësi në formulimin e fjalëve.

Çfarë ndodh në trurin e një personi të prekur nga Alzheimeri?

Në trurin e njeriut gjenden 100 miliardë neurone. Secila prej tyre është e lidhur ngushtë me tjetrën, duke krijuar kështu rrjete të mirëfillta komunikimi. Secili grup neuronesh ka një mision të caktuar. Disa janë përgjegjëse për të menduarin, të mësuarin, kujtesën, shikimin, dëgjimin, nuhatjen dhe lëvizjen.

Neuronet janë si fabrika të vogla, që punojnë fort dhe që kanë nevojë për shumë oksigjen. Sëmundja e Alzheimerit, krejt papritur, shkakton “pezullimin e punës” në këto “fabrika” neuronesh. Shkencëtarët nuk e kanë zbuluar akoma pikënisjen e problemit, por kur neuronet dëmtohen ato nuk e bëjnë dot punën dhe vdesin.

Shkatërrimi i këtyre qelizave shkakton një efekt domino që prek kujtesën, personalitetin e të tjerë.

 

Ushqimet që rrisin rrezikun e Alzheimerit

Një studim i fundit ka zbuluar se një regjim ushqimor i pasur me sheqer, produkte me niseshte (siç është buka, mielli, orizi i bardhë) dhe mishra të përpunuar mund të rrisë ndjeshëm rrezikun e sëmundjes.

Ushqimet e përpunuara rrisin depozitat e yndyrave në organizëm. Këto më pas kontribuojnë në shfaqjen e inflamacionit kronik që mund të përhapet edhe në tru dhe të shkaktojë dëme të mëtejshme.

Çfarë i bën mirë trurit dhe zemrës?

Studimet thonë se njeriu duhet të kujdeset që të ushqehet shëndetshëm që në moshë të re, që të mos ketë probleme në moshën e tretë. Një regjim i mirë ushqimor për zemrën konsiderohet i përshtatshëm edhe për shëndetin e trurit.

Ai duhet të përfshijë: vajin e ullirit, frutat, perimet, drithërat e plota, legumet dhe sa më pak mish të kuq.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore