Këtë të martë në Kosovë pritet të zbarkojnë dy kryeministra dhe një diplomat evropian. Bëhet fjalë për kryeministrin e Holandës, Mark Rute, kryeministrin e Luksenburgut, Xavier Bettel, dhe sigurisht, Emisarin Special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, për të diskutuar me autoritetet kosovare rrugën përpara.
Në një kohë kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë ngritur në nivele shpërthyese, ndonëse ka rastisur që krerët e dy shteteve të Beneluksit të aterojnë në Prishtinë në një ditë me Lajçakun, misionin e kanë pothuajse të njëjtë: qetësimin e situatës në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë sipas planit tre-pikësh të Bashkimit Evropian për de-përshkallëzim.
Lajçak, Rute dhe Bettel pritet të shqyrtojnë mënyrën se si të zgjidhin krizën gjithnjë e më të mprehtë në veriun e Kosovës të populluar kryesisht me shumicë serbe, në mënyrë që t’i hapet rruga implementimit të pikave të Marrëveshjes së Brukselit (27 shkurt) dhe Aneksit të Ohrit (18 mars), përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.
Vizita e Lajçakut në Prishtinë vjen pas kërkesës së Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, i cili, së bashku me të dërguarin e tij, ishin nikoqirë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, para dy javësh në Bruksel dhe pas samitit të liderëve të BE-së javën e kaluar ku edhe janë prezantuar masat ndëshkuese ndaj Kosovës.
Ndërkaq, vizita e dy kryeministrave evropianë – ishte paraparë të merrte pjesë edhe kryeministri i Belgjikës, Alexander De Croo – bëhet me qëllim për të dërguar mesazhin e BE-së dhe NATO-s ndaj liderëve politikë në Kosovë dhe Serbi për nevojën e uljes së tensioneve në veri të Kosovës dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve nën patronazhin e BE-së.
Ndryshe, shefat e qeverive të Holandës dhe Luksemburgut paraprakisht qëndruan në Beograd, ku zhvilluan një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ndërsa nga aty kanë kërkuar që Kosova dhe Serbia të ndërmarrin hapa të menjëhershëm drejt de-përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës.
Diplomati sllovak nga ana tjetër, fillimisht do të qëndrojë në Prishtinë, ku do të ketë takime me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, për të vazhduar më pas në drejtim të Beogradit për t’u takuar edhe me presidentin serb dhe për të parë nga afër nëse palët kanë lëvizur përpara në zgjidhjen e krizës në veri.
Plani tre-pikësh i BE-së parasheh tërheqjen e njësive elitare të Policisë së Kosovës nga afërsia e ndërtesave komunale në veri – paralelisht me tërheqjen e protestuesve serb – tërheqjen e kryetarëve të rinj shqiptarë nga ndërtesat komunale, shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme atje dhe garancën e serbëve lokalë se do të marrin pjesë në zgjedhje.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Rreth 400 mijë euro u investuan për rregullimin e stadiumit të Vitisë – por ende është jashtë funksionit
-
UNMIK-u po e ndjek nga afër situatën pas refuzimit të vizitës së Porfirije në Kosovë
-
Ndalohet kontrabandimi i medikamenteve në Han të Elezit
-
Pothuajse 450 mijë njerëz janë larguar nga Rafah brenda një jave, thotë OKB
Lajmet kryesore
-
Qeveria plan me 4 pika për rritjen e kreditimit të ekonomisë, në fokus bujqësia
-
Reforma e inspektimeve, Rama: Krijojmë një forcë të re autonome të shkëputur nga ministritë
-
Pothuajse 450 mijë njerëz janë larguar nga Rafah brenda një jave, thotë OKB
-
Dikur ftonte të votohej Joe Biden, tash Kurtit i ndryshojnë preferencat politike në Amerikë