Sport

‘Mikel ka lindur trajner’ – natyra dhe edukimi i Arteta-s


Mikel Arteta. Photo: BBC

Një buzëqeshje shpaloset në tiparet e Pepe Reina-s teksa kujton padrejtësinë e kryer ndaj Mikel Arteta-s në dhomën e konviktit të një ferme në Barcelonë që ata e quanin shtëpi.

Reina ishte në pjesën e sipërme të një krevati marinari, ndersa Arteta poshtë, por nuk kishte dyshim se nga vinte zhurma.

“Isha unë ai që gërhisja dhe djemtë e tjerë në dhomë po mërziteshin”, shpjegon ish-portieri i Liverpool-it dhe Napoli-t.

“Kështu që ata filluan të hedhin parakalço, këpucë, shapka… çdo gjë që kishin në dorë”.

“Por sepse unë isha lart dhe ai në fund, shumë prej tyre përfunduan duke goditur Mikeli-n. Ndarja e atij shtrati i kushtoi atij shumë netë pa gjumë dhe pothuajse marrëdhënien tonë!”, kujton Reina.

Të afruar nga Madridi dhe San Sebastiani, respektivisht si disa nga talentët e rinj më të ndritur në Spanjë, Reina dhe Arteta u larguan nga shtëpia në mesin e adoleshencës për t’u bashkuar me La Masia. Akademia rezidenciale e Barcelona me famë botërore ka prodhuar Lionel Messi, Xavi Hernandez dhe Andres Iniesta dhe, deri në vitin 2011, ishte vendosur në një fermë prej guri, përballë rrugës nga “Camp Nou”, stadiumi ikonë i klubit.

Debutimi i Mikel Arteta me Barcelona-n, mosha 16-vjeçare. (Image: Imago/REX/Shutterstock)

Reina është i bindur se ishte gjatë kësaj periudhe që Arteta fitoi disa nga karakteristikat që e kanë ndihmuar atë të shfaqet si një nga menaxherët e rinj më premtues të Evropës gjatë një sezoni në të cilin skuadra e tij e re Arsenal siguroi vendin e dytë në Premier League dhe Champions League për sezonin e ardshëm, hera e parë që nga 2016-17.

“Ishte vërtet e vështirë”, i thotë Reina prezantuesit John Bennett në dokumentarin e BBC-së, “The make of Mikel” (Bëria e Mikelit).

“Ne ishim fëmijë 13 ose 14 vjeç dhe na mungonin vëllezërit dhe motrat dhe prindërit tanë. Më kujtohet që lexoja letra nga shtëpia në atë kohë dhe kishte lot. Kishte njerëz që qanin”, shpjegon portieri.

“Është me të vërtetë ndërtimi i karakterit. Ai elasticitet, ai mentalitet i fortë, ajo vendosmëri për të marrë trofeun ose për të arritur qëllimet është diçka që ju duhet të zhvilloni për të mbijetuar në La Masia”.

“Ne po ndanim të njëjtat ëndrra, të njëjtat makthe, të njëjtën frikë dhe të gjithë së bashku po mbështesnim njëri-tjetrin si vëllezër”, shtoi spanjolli.

Përveç fitimit të forcës mendore, Arteta u shkollua edhe në filozofinë e Barcelona-s për mbajtjen e topit, altruizmin dhe fleksibilitetin e pozicionit që ka transformuar futbollin modern të klubeve, me Pep Guardiola të Manchester City si eksponentin kryesor të tij, trajnerin aktual të Barcelona-s, Xavi, dhe Arteta-n e Arsenal si dishepujt e tij.

Sipas Reina, nuk është rastësi që të tre luajtën në mesfushë.

“Unë mendoj se edukimi në Barcelonë si lojtar, veçanërisht në pozicionin e tij, është veçanërisht i fortë”, thotë ai.

“Ishte normale që ata lojtarë në ato pozicione përfunduan duke e kuptuar futbollin më mirë se të tjerët. Mendoj se Mikel ka lindur si menaxher. Inteligjenca e tij në fushë është demonstruar gjithashtu jashtë saj”, vijoi Reina.

Një mentor i Guardiola-s dhe Arteta-s, Paco Seirul-lo është një autoritet në rrugën e Barcelona-s. Ai u bë trajner i skuadrës së parë të fitnesit nga Johan Cruyff në 1994, dhe më pas u mirua me titullin e lartë “Shef i Metodologjisë” një dekadë më vonë.

“Filozofia është që të vendosni shokun tuaj të skuadrës mbi veten tuaj”, shpjegon ai. “Kjo do të thotë të lini egon tuaj jashtë dere”.

Disa lojtarë nuk e pranuan atë dhe nuk ia dolën.

“Kjo është ajo që bënin Arteta dhe Guardiola. Arteta, ashtu si Pep, ishin altruistë dhe luanin për të tjerët. Thelbi i tij ishte të punonin për ekipin dhe të ndihmonin të tjerët të lulëzojnë”, thotë Pepe.

“Dhe kjo është ajo që ai bën tani me lojtarët e tij.Ai i stërvit ata në mënyrë që prioriteti i tyre i vetëm të jetë bashkëpunimi me shokët e skuadrës. Arteta përpiqet të krijojë një mjedis ku kreativiteti mund të lulëzojë”, shpjegon ai.

Suksesi i Arteta-s si lojtar dhe trajner është një burim krenarie e madhe në San Sebastian, qytetin bregdetar bask ku filloi historia e tij e futbollit.

Klubi Antiguoko FC nuk njihet nga shumë tifozë, por i ka dhënë shumë futbollit. Në një oborr të vogël, midis një salloni flokësh dhe një blloku apartamentesh prej betoni, hyrja e tij është e shënuar me një derë të përparme të veshur me dru.

Në krahun tjetër, bëhet e qartë se çfarë roli të rëndësishëm ka luajtur ky klub në karrierën e jo vetëm Arteta-s, por shumë lojtarëve të tjerë të nielit të lartë.

Një mur është i mbuluar me fanella me kornizë të 20 prej 35 të rinjve të Antiguoko-s që kanë vazhduar të luajnë në ligën më të mirë të Spanjës dhe një tjetër i është kushtuar tërësisht fotove dhe kujtimeve të dy djemve të saj të artë: Arteta dhe Xabi Alonso.

Mikel Arteta dhe Xabi Alonso. Photo: Unknwon

“Kemi luajtur shumë turne me Mikelin dhe Xabin në të njëjtin ekip”, kujton ish-trajneri i tyre Roberto Montiel, tani nënkryetar i Antiguoko.

“Ne të tre shkonim në Francë për të luajtur në gara dhe ishte e mrekullueshme, ishte një ekip shumë i mirë. Montiel mbikëqyri programin e të rinjve të Antiguoko-s për më shumë se dy dekada, por ai këmbëngul se kishte ‘diçka të veçantë’ për të riun Arteta”.

“Ai u dallua nga të tjerët”, thotë ai. “Ishte bukur të shihje një cilësi të tillë në atë trup të vogël. Ai ishte si Messi. Ju shikoni videot e Messi-t dhe ka shumë ngjashmëri që nga koha kur ata ishin fëmijë”.

“Mikel kishte një lexim shumë të mirë të lojës, ai pa lojërat para pjesës tjetër. Ishte sikur po e shikonte lojën nga lart. Lojtarët e tillë janë paksa të veçantë. Ata shohin gjëra në fushë që të tjerët mundën vetëm t’i shikoni nga lart në tribuna”.

“Më tërhoqi vëmendjen edhe sepse në bisedat e mia taktike para ndeshjeve nuk ishte si fëmijët e tjerë, të cilët shpërqendroheshin, flisnin me njëri-tjetrin, bënin shaka… Përkundrazi, ai ishte shumë i vëmendshëm. Më thoshte shpesh, ata janë duke luajtur në sistemin 4-4-2 ose 4-3-2-1. Ai tashmë po vëzhgonte formacionet dhe taktikat e ekipit”, vijoi ish-trajneri i Arteta-s.

Pavarësisht aftësisë së tij të dukshme, Arteta kurrë nuk vazhdoi të bënte një paraqitje konkurruese në ekipin e parë të Barcelona-s, rruga e tij u bllokua nga talente të klasit botëror si Xavi, Iniesta dhe një Guardiola në moshë.

Në mes të sezonit 2000-01, klubi e dërgoi atë në huazim te Paris St-Germain për t’iu bashkuar një ekipi plot me yje të njohur si Ronaldinho, Jay-Jay Okocha dhe Nicolas Anelka.

Tetëmbëdhjetë muaj më vonë, pasi kishte impresionuar në një ndeshje të Kupës UEFA kundër Rangers, Arteta iu bashkua gjigantëve skocezë, ku shpejt u njoftua për personalitetin e tij të patrembur.

Duke shkuar në ditën e fundit të sezonit 2002-03, Rangers dhe rivalët e tyre të mëdhenj Celtic ishin të barabartë në pikë dhe gola diferencë, me Rangers një përpara për golat e shënuar.

Celtic kishte kaluar shkurtimisht përpara në garën për titull më herët pasdite. Ata po fitonin 4-0 ndaj Kilmarnock, ndërsa nga ana tjetër Rangers ishte duke triumfuar 5-1 ndaj Dunfermline Athletic.

Më pas, Rangers fitoi një penallti, një shans për të vulosur titullin dhe një tripletë vendase. Ishte një skuadër e mbushur me përvojë, por një 21-vjeçar Arteta shkëlqeu.

Mikel Arteta te Rangers. (Image: Daily Record)

“Mezi e shikoja, e kisha shpinën te pika e penalltisë, sepse e dija se sa e rëndësishme ishte”, thotë bashkëlojtari i Rangers, Ronald de Boer, në atë kohë një ndërkombëtar holandez veteran dhe 12 vjet më i vjetër se Arteta.

“Unë mendoj se Barry Ferguson ishte ekzekutuesi ynë numër një i penalltisë, por Mikel e mori topin. Jam i sigurt se ai kishte nerva, por ai i fshehu mirë ato dhe shënoi një penallti perfekte”, kujton holanezi.

Ndërsa Arteta u largua duke tundur krahët drejt tribunës delirante të “Ibrox”, De Boer kujton ndjenjat e tij të admirimit për mesfushorin e ri.

“Kjo ishte një përgjegjësi e madhe e tij”, shton ai. “Ai mori përgjegjësinë dhe u ngrit kur kishte rëndësi, askush nuk e priste këtë”.

“Ne e dinim se ai ishte një lojtar i madh, por të marrësh atë përgjegjësi në një moshë kaq të re, në një lojë kaq të rëndësishme dhe moment të asaj gare vendimtare për titull kundër Celtic ishte mbresëlënëse”.

“Ai kishte mundësinë të dështonte, por kjo nuk ndodhi. Ai ishte heroi”, thotë më tej De Boer.

Nëse ishte te Rangers ku Arteta mori komandën për herë të parë në fushë, ishte në klubin e tij të ardhshëm Everton ku ai filloi të bëhej lider në dhomën e zhveshjes.

“Kur nënshkruam me Mikelin, filluam të evoluojmë në një ekip më dinamik dhe Mikel ishte shumë me ndikim në këtë”, thotë ish-bashkëlojtari i tij në Everton, Alan Stubbs.

“Ai kishte një ide të qartë se si donte të luante si individ, por edhe se si donte që skuadra të luante. Kishte disa raste kur ne kishim hyrë në pjesën e parë dhe po humbnim ose barazonim lojën. Ai nuk kishte frikë të jepte një mendim dhe të thoshte se duhet të tregohemi më të guximshëm dhe të diktojmë lojën më shumë”.

“Në atë kohë, (menaxheri) David Moyes kishte më shumë një mentalitet të strukturuar për sa i përket të qenit i fortë në mbrojtje, të godiste ekipet në kundërsulm dhe të ishte shumë i vendosur”.

“Mendoj se nëse do të ishte në dorën e Mikelit, megjithëse ne ishim të fortë në mbrojtje, ai më mirë do të na kishte parë të provonim të fitonim ndeshjen 2-0 ose 3-0, në vend që të luanim 1-0. Duke qenë realist, në atë kohë, me Everton-in, ne nuk do të ishim kurrë një skuadër që kontrollonte ndeshjet e futbollit. Por Mikel gjithmonë jepte argumentin, ‘pse nuk mund të provojmë’?”, shton Stubbs.

Mikel Arteta te Arsenal. (Photo: Julian Finney/Getty Images)

Në ditën e fundit të transferimeve në gusht 2011, Arteta u nënshkrua nga një skuadër e Arsenal-it që kërkonte lider pas një humbjeje poshtëruese 8-2 në “Old Trafford”. Ishte gjatë kohës së tij nën Arsene Wenger që Arteta së pari veproi sipas ambicieve të tij për t’u bërë menaxher, megjithëse në një mjedis të pamundur.

Programi i stërvitjes së Shoqatës së Futbollit të Uellsit (FAW) në “Dragon Park”, Newport, kishte fituar një reputacion të shkëlqyeshëm midis ish-lojtarëve, me Marcel Desailly dhe Roberto Martinez midis atyre që kalonin nëpër dyert e saj. Grupi i saj 2016 Uefa Pro License ishte veçanërisht i mbushur me yje.

“Mikel ishte në pro licencë, siç ishte Thierry Henry, Sol Campbell dhe Freddie Ljungberg”, thotë shoku i tyre i klasës Richard Williams, një emër ndoshta më pak i njohur, por tani kreu i zhvillimit të lojtarëve të FAW.

Edhe në një shoqëri kaq të vlerësuar, fokusi i Arteta-s ra në sy.

“E vetmja gjë që vura re duke qenë në të njëjtën dhomë me Mikelin gjatë çdo gjëje që bënim ishte qartësia që ai kishte në atë që donte të bënte”, thotë Williams. “Ai ishte shumë i qartë në mënyrën se si donte që skuadrat e tij të luanin”.

“Një vit pasi u diplomuam, ai bëri një seancë në konferencën tonë kombëtare dhe ai prezantoi një stërvitje kalimtare të cilën unë ende e përdor tani. Është një stërvitje e thjeshtë, por detajet e lëvizjes dhe detajet e kalimit duhet të ishin perfekte”.

“Ai ishte një perfeksionist, gjë që mendoj se ndoshta vjen nga ajo prejardhje e La Masia, dhe më pas, natyrisht, duke pasur këtë mundësi për të shkuar dhe punuar me Pep në mjedisin e tij”, tregon ai.

Reina e përshkruan periudhën trevjeçare të Arteta-s si asistent i Guardiola-s, që pasoi pensionimin e tij në Arsenal në vitin 2016, si ekuivalenti i trajnerit të futbollit të një “Masters from Harvard” (Master nga Harvard, edukim).

Ka shumë histori të takimeve të vona natën mes çiftit në bllokun e tyre qendror të apartamenteve në Mançester për të diskutuar një taktikë ose formacion të ri.

Williams ishte dëshmitar i asaj që ai e quan “kimia e lehtë” mes tyre kur City stërvitej në “Dragon Park” përpara një takimi me Swansea City.

“Pas seancës, Mikel organizoi një séance me pyetje dhe përgjigje për kandidatët e Pro Licencës në sallën e këshillit dhe ajo që nuk do ta harroj kurrë ishte se ne vendosëm sallën e këshillit me pesë tavolina dhe një foltore në pjesën e përparme për Pep”, thotë Williams. “Por kur Pep hyri brenda, ai këmbënguli që të uleshim të gjithë rreth një tavoline”.

“Ishte shumë më intime dhe joformale në këtë mënyrë dhe mund të shihje qartë se ai dhe Mikel kishin një marrëdhënie të shkëlqyer. Kishte shaka dhe batuta mes tyre kur ata po na kthenin përgjigjet. Kështu që dukej si një marrëdhënie shumë e rehatshme, e bukur”, thotë ai.

Mikel Arteta, trajner i Arsenal (Photo by Tim Keeton / POOL / AFP)

Pasi iu dha shansi për të dalë i vetëm në 2019-ën, skuadra e Arsenal-it e Arteta-s mundi Manchester City-n e Guardiola-s në rrugën drejt ngritjes së FA Cup në sezonin e tij të parë të plotë, por sfidat do të pasonin.

Pas përfundimeve të njëpasnjëshme në vendin e tetë, Arsenal-i humbi tre ndeshjet e para të sezonit 2021-22 për t’u ulur në fund të tabelës. Një sondazh online i mbështetësve të Arsenal-it në atë kohë tregoi se 77% dëshironin që ai të largohej.

Por Arteta, ndoshta duke u mbështetur në qëndrueshmërinë e zhvilluar në La Masia, iu përmbajt parimeve të tij të futbollit, duke larguar individualistët me të ardhura të larta si Pierre-Emerick Aubameyang dhe Mesut Ozil dhe duke krijuar një ekip të ri, sulmues, të mbushur me kreativitet dhe qëllim kolektiv.

Pasi humbën për pak kualifikimin në Champions League, “Topçinjtë” vendosën një ritëm të furishëm për të udhëhequr Premier League për pjesën më të madhe të sezonit 2022-23. Por në fund të fundit ishte një ritëm që ata nuk ishin në gjendje ta ruanin pasi Manchester City përfitoi nga një lëkundje e vonshme për t’i kaluar ata.

Mendimet e tifozëve të Arsenal-it tashmë janë kthyer në sezonin e ardhshëm dhe më tej, me Arteta-n si menaxher për të formuar të ardhmen e tyre.

“Çdo brohoritje, këndim, ai e jeton atë, ai e merr frymë”, thotë Faisal Khan, drejtuesi i “Latte Firm”, një kanal i Arsenal-it në YouTube.

“Ne e shohim se çfarë do të thotë për të, si një ish-lojtar ai e kupton se çfarë do të thotë të jesh Arsenal. Ne jemi këtu dhe po konkurrojmë dhe jam i bindur se do të jemi për vitet në vijim dhe shpresoj se ai do të jetë në krye”.

“Ne jemi shumë të emocionuar për të parë se ku do të përfundojë me të”, thekson ai.

Reina pajtohet. Ai është i bindur se ish-shoku i tij ka gjithçka që duhet për të pasur sukses në nivelin më të lartë dhe e di se ku do të drejtohet për këshilla kur të nisë karrierën e tij si trajner.

“Duhet të përgatitesh dhe të jesh i zgjuar se kë zgjedh si mentor”, thotë ai. “Mikel është atje me të preferuarit e mi. Do të mësoj shumë nëse mundem nga aftësitë e tij menaxhuese, sepse ai do të jetë një nga më të mëdhenjtë”.

 

Marrë nga BBC World Service Sport, përshtatur për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore