Sport

Itali – Angli, policia merr masa për parandalimin e përleshjes mes tifozëve


Policia italiane dhe ajo angleze po bashkëpunojnë për të shmangur përleshjen mes tifozëve të Italisë dhe Anglisë kur “Azzurri” ballafaqohen me “Tre Luanët” në Napoli të enjten, në ndeshjen e parë kualifikuese për Euro 2024.

Autoritetet italiane duan të parandalojnë që të ndodhë një incident tjetër, pas atij të javës së kaluar, kur në Ligën e Kampionëve u përballen Napoli me Eintracht Frankfurtin, po në të njëjtin stadium që do të zhvillohet edhe ndeshja e së enjtes.

Sipas “La Gazzetta dello Sport”, Policia e Italisë dhe Policia e Anglisë po bashkëpunojnë për të shmangur një përplasje të re.

Raporti thotë se rreth 2 mijë e 500 tifozë anglezë pritet të mbërrijnë për këtë ndeshje.

Policia angleze do ta kontrollojnë turmën e tifozëve nga vendi ku do të vendosen, deri sa të shkojnë te stadiumi, ndërsa kolegët italianë do të monitorojnë rreptësisht zonën Lungomare në Napoli, përballë Castel dell’Ovo. Shumica e tifozëve anglezë, në fakt, kanë rezervuar hotelet e tyre në atë zonë.

Raportet nga mediat italiane thonë që tifozët anglezë do të përcillen të enjten në “Stadio Maradona” me 20 autobusë që do të nisen nga zona e portit në stacionin detar.

Ndeshja mes Italisë dhe Anglisë do të zhvillohet këtë të enjte me fillim nga ora 20:45.

Përveç këtyre dy kombëtareve, në Grupin C bëjnë pjesë edhe Maqedonia e Veriut, Ukraina dhe Malta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore