Shqipëria

Rama: O me Durrësin në majë, o me ‘armiqtë’ e Durrësit në plehra


Sipas kryeministrit shqiptar, Edi Rama, dy zgjedhje ka në rastin e investimit për Portin e ri turistik të Durrësit: O me Durrësin në majë, o me armiqtë e Durrësit në plehra!

Kështu ka shkruar kreu i Qeverisë në një postim në median sociale Twitter, sa i përket akuzave që janë hedhur ndaj kabinetit të tij lidhur me procedurat, që lidhen me investimin e madh prej 2 miliardë eurosh, për ngritjen e portit më të madh turistik në Mesdhe.

Një projekt që sipas Ramës, do të ndryshojë jo vetëm qarkun, por gjithë Shqipërinë e madje edhe rajonin.

Mirëpo, sipas kundërshtarëve të tij politikë, kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe atij të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, kjo është një aferë dhe jo një investim i vlefshëm për vendin.

Ndaj, mbi këtë premisë, kreu i ekzekutivit, është përgjigjur…sërish.

“Armiqësia kundër investimit më të madh në rajon, i cili do ta transformojë Durrësin në një ndër destinacionet kryesore turistike të Mesdheut, duhet t’iu shërbejë të gjithë durrsakëve për të parë fytyrën e armiqve të së ardhmes së Durrësit; o me Durrësin në majë o me ata në plehra!”, shkruan ai.

Të martën e 15 nëntorit, Rama sërish i ktheu një përgjigje akuzave, duke thënë se ato janë të fabrikuara nga një non grata dhe një “spiun”, referuar Berishës dhe Metës.

Rama: Akuzat për Portin e Durrësit, nga ‘non grata’ dhe ‘spiunë’

Ndërkohë, me votat e mazhorancës, është miratuar në parim marrëveshja për ndërtimin e Portit të ri të Durrësit.

Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Financave, Besart Kadia theksoi se projekti do të bëhet nga privati.

“Kalatat nuk ndryshojnë dhe vija bregdetare i mbetit shtetit”, u shpreh ai.

Punimet për portin e ri turistik të Durrësit do kalojnë në dy faza, e para zgjat deri në 7 vjet dhe nuk prek aktivitetin aktual të portit.

Çështja, nuk kaloi pa debate as aty.

Miratohet marrëveshjen për ndërtimin e Portit të ri të Durrësit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore