Shqipëria

Rama: Akuzat për Portin e Durrësit, nga ‘non grata’ dhe ‘spiunë’


Sipas Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ka një dallim të madh mes fakteve dhe akuzave e këto të fundit – veçanërisht ato për Portin e ri të Durrësit – vijnë nga tërbimi i personave të përcaktuar si non grata apo edhe nga “spiunë”.

Kështu iu referua ai akuzave të ardhura nga opozita shqiptare karshi Qeverisë dhe investimit 2 miliardë dollarësh që vjen nga Emiratet e Bashkuara Arabe, për ndërtimin e portit më të madh turistik mesdhetar në Mesdhe.

Ndërsa, faktet, nga ana tjetër, flasin qartë se si opozita shqiptare, për të rrëzuar qeverinë socialiste në pushtet, kanë marrë pará ruse.

Këtu, Rama i referohet një financimi të ardhur përpara zgjedhjeve të vitit 2017, siç ka përcaktuar edhe një hetim i medias amerikane “Zëri i Amerikës” dhe inteligjencës amerikane.

Po ashtu, kreu i Qeverisë ka përmendur edhe një takim mes një përfaqësuesi të Vladimir Putinit, me të cilin ish-kryeministri Berisha, në fjalët e Ramës, “ka nënshkruar nguljen e thikës në shpinën e Kosovës”, duke përmendur rastin e votës pro në Këshillin e Evropës për raportin e Dick Marty-t, duke i hapur rrugë ngritjes së Gjykatës Speciale.

Kur Berisha priste “përzemërsisht” ideatorin rus të raportit të Dick Marty-t

Një paralajmërim ndërkohë, ai e çoi ndaj opozitës, duke pretenduar se “fakte të reja do të dalin për çështje që lidhen me investime ‘offshore’” dhe për këtë, kryeministri flet me sigurinë më të lartë.

“E di çfarë them, nuk flas më kot. Ndaj mos u habisni nga ajo që do të shihni në vijim”, tha ai.

Sa i përket protestës që opozita zhvilloi më 12 nëntor, Rama e ka përkufizuar atë si një “çorbë”, të cilën sipas tij, e gatuan i njëjti kuzhinier për vite me radhë.

“Për çfarë proteste më flisni? Për cilët qytetarë? Për një protestë partish? Për një non grata dhe një spiun që mbledhin militantët e tyre? S’ka lidhje me popullin”, përmylli ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore