Shqipëria

Kur Berisha priste “përzemërsisht” ideatorin rus të raportit të Dick Marty-t


Në vitin 2010, një muaj para se të votohej raporti i Dick Marty-t për “krimet” e supozuara të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), qeveria shqiptare e asaj kohe, e udhëhequr nga Sali Berisha, priti një mysafir.

Ky i fundit, krejtësisht jo i zakonshëm.

Bëhet fjalë për, Konstantin Kosachev, i besuari i Vladimir Putinit e Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Dumës Shtetërore Ruse.

Kosachev ishte iniciuesi i mocionit për rezolutën e Marty-t, për “hetimin e pretendimeve për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë”.

Dhe fiks një muaj më pas, PD-ja voton pro këtij raporti në Strasburg.

Ka qenë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka publikuar këto fakte në llogarinë e tij në Twitter.

Rama shkruan se një muaj përpara bashkimit të duarve për “t’i ngulur thikën pas shpine Kosovës dhe Shqipërisë në Strasburg, Çorba e Rublave është gatuar në Tiranë gjatë një vizite të përfaqësuesit të Putinit”.

Ai sjell në vëmendje pasqyrimin e shtypit qeveritar askohohe, kur vizita u vlerësua si “shumë e rëndësishme”.

Askohohe, në procesverbalin e miratimit të kësaj rezolute që inkriminonte UÇK-në, nga delegacioni Parlamentit shqiptar votoi pro rezolutës, kryetari i grupit, Ilir Rusmali, atëherë deputet i PD-së.

Të vetmet vota kundër nga pala shqiptare, ishin ato të Damian Gjiknurit dhe Shpëtim Idrizit.

Kryeministri shpesh e ka akuzuar Berishën se me atë votë pro rezolutës, ka “goditur Kosovën”.

Po ashtu, për të, kjo tregon më shumë për Partinë Demokratike, e cila është akuzuar nga SHBA-të për financimet ruse.

Nga ana tjetër, Kuvendi i Shqipëria, ka votuar pro rezolutës që dënon raportin e Marty-t.

Ka qenë vetë kryeministri i vendit, i cili e ka prezantuar raportin përpara asamblesë parlamentare të KiE-së.

Vlen të theksohet se Marty, i zyrtarizoi akuzat për UÇK-në nën sponsorizimin e Konstantin Kosachev dhe Mikhail Margelov.

Kosachev dihet se është një aleat i ngushtë i Leonid Slutsky, një kryetar i Komitetit të Dumës Shtetërore për Çështjet Ndërkombëtare në Federatën Ruse.

Përpos kësaj, Kosachev është i sanksionuar nga Shtete e Bashkuara të Amerikës, për ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane të vitit 2016 dhe “veprimtari të tjera keqdashëse”.

Së fundmi, këtë vit,  një raport me email-t personale të politikanëve të së djathtës ekstreme në Evropë treguan se sa ngushtë koordinohen politikanët italianë, francezë, gjermanë dhe austriakë me Moskën.

Mes tyre ishin edhe shkëmbimet për takime të Matteo Salvinit – tashmë ministër i Brendshëm i Italisë – me Konstantin Kosachev.

Të gjitha takimet kryeheshin në mënyrë të fshehtë, jashtë syrit publik dhe kurrë nuk u zbulua se për çfarë diskutohej.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore