Shqipëria

Miratohet marrëveshjen për ndërtimin e Portit të ri të Durrësit


Komisioni i ekonomisë ka miratuar marrëveshjen për ndërtimin e Portit të ri të Durrësit.

Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Financave, Besart Kadia theksoi se projekti do të bëhet nga privati.

“Kalatat nuk ndryshojnë dhe vija bregdetare i mbetit shtetit”, u shpreh ai.

Punimet për portin e ri turistik të Durrësit do kalojnë në dy faza, e para zgjat deri në 7 vjet dhe nuk prek aktivitetin aktual të portit.

Debatet në komision

Projekti i Portit të Durrësit u bë “mollë sherri” në Komisionin e Ekonomisë duke sjellë debate të ashpra mes opozitës dhe mazhorancës.

Deputeti demokrat Edmond Spaho kërkoi që në Komision të raportonin personat që kanë firmosur projektin, konkretisht 2 ministret Delina Ibrahimaj dhe Belinda Balluku dhe “jo hidraulikët” e Kryeministrisë.

Kjo deklaratë e tij, nxiti debatin. Kryetari i këtij komisioni, Eduart Shalsi tha se “duhet t’i vinte turp për këtë fjalë të përdorur”.

Nga ana tjetër, zëvendësministri i Financave, Besart Kadia tha se projekti i portit të Durrësit do të jetë mundësi për 12 mijë vende të reja pune.

“Shqipëria si çdo vend tjetër duhet të ofrojë disa specifike, që një investitor i huaj të investojë 2 miliardë euro. Marrëveshja është transparente. 12 mijë të punësuar impakti numër një. Fillimisht në ndërtim dhe më pas në vijimin menaxhimit. Projekti veç banesave të strehimit, është një mjedis për turizëm elitar”.

Sipas tij, shteti shqiptar do të jetë aksioner dhe investitor strategjik me 33% të aksioneve.

“Aludime te bëra janë të ndryshme. Po ta lexoni kontratën do jeni krenar për atë që do të marri publiku shqiptarë. Ky projekt nuk lidhet me ngjyrat politike. Ju kur të jeni në krye, do thoni sa mirë e kanë menaxhuar këtë kontratë ata”.

Nga radhët e opozitës, deputeti Dashamir Shehi kërkoi shtyrjen e diskutimeve për këtë projekt pas buxhetit, duke thënë se qeveria po nxiton për këtë projekt, e për këtë arsye ka dyshime mbi qëllimet e saj.

Ndërsa, Shalsi tha se “ngutja” për projektin e Durrësit është për shkak të rëndësisë së kësaj kontrate, që nuk duhet humbur. Mirëpo, për Dashamir Shehin, ky nuk është argument.

Projekti

Porti i Durrësit është projektuar dhe do të ndërtohet edhe si “Porti i Prishtinës”.

Lajmin e bëri të ditur studio holandeze gjatë muajit majt për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano.

“Pra, ju keni shtuar Prishtinën, shkëlqyer, praktikisht ky bëhet edhe porti i saj gjithashtu”, u shpreh kryeministri shqiptar Edi Rama para përfaqësuesit holandez.

Sipas studios, porti më vete është vetëm port, por duhet konsideruar si një element i një zinxhiri të tërë logjistik.

Në vijim, përfaqësuesi deklaroi se kjo mund të jetë një portë hyrëse për në Ballkanin Perëndimor.

Rama shtoi se ky ishte qëllimi që në premisat e para të këtij projekti.

“E pamë që porti aktual ishte një rrëmujë e tërë, ndoste dhe nuk kishte kapacitetet për t’u zgjeruar”, shtoi kreu i qeverisë shqiptare.

Sa i takon portit të ri, kryeministri theksoi se ai ka potencial, ka kapacitete dhe na bën portën hyrëse në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

“Zgjatimi i portit të thatë në Prishtinë është kryevepër”, tha në përmbyllje Rama.

Kujtojmë që më 7 prill kreu i qeverisë bënte me dije fillimisht se porti aktual nuk mund të vazhdojë të rrijë në zemër të qytetit.

Kjo, pasi nuk ka sens që qyteti të marrë gjithë ndotjen e portit aktual.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore