Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me nënsekretaren e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Rosermary DiCarlo.
Sipas njoftimit të Zyrës së Presidencës, Osmani në këtë takim ka ritheksuar interesimin e Kosovës për të vazhduar bashkëpunimin me organizatat ndërkombëtare.
“Sipas Presidentes Osmani, Kosova është e përkushtuar për ta vazhduar bashkëpunimin dhe koordinimin me partnerët dhe organizatat ndërkombëtare. Ajo ka thënë se Kosova është gjithashtu e interesuar të zgjerojë marrëdhëniet me shtetet anëtare të OKB-së dhe synon anëtarësimin në OKB”, thuhet në njoftimin e zyrës së Presidencës.
“Në kontekst të cenimit të paqes dhe stabilitetit në rajon, Presidentja shprehu shqetësimin për rritjen e ndikimit rus në rajon nëpërmjet Serbisë dhe tendencave destabilizuese të saj”.
Gjatë diskutimit për dialogun me Serbinë, ajo ka përsëritur që Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive.
“Angazhimi i Kosovës në dialog është i bazuar në mbrojtjen e sovranitetit, rendit kushtetues dhe integritetit territorial të Kosovës”.
“Më tej, Presidentja ka theksuar se Serbia ka ngecur në zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë, ka bllokuar marrëveshjen për personat e zhdukur me dhunë dhe ka rritur tensionet në çështjet e targave të makinave, nëpërmjet sulmeve nga struktura ilegale dhe kriminale në veri, ndaj Policisë së Kosovës”.
Pjesë e bisedimeve ka qenë edhe situata e sigurisë në rajon e më gjerë, implikimet e agresionit të Rusisë në Ukrainë, kriza energjetike dhe ushqimore, si dhe dialogu me Serbinë.
“Një pjesë e diskutimit në takim ndërmjet Presidentes Osmani dhe nënsekretares DiCarlo iu kushtua agresionit rus në Ukrainë. Presidentja Osmani theksoi se Kosova e ka dënuar agresionin e paprovokuar të Rusisë në Ukrainë dhe se krahas BE, SHBA-ve dhe shteteve demokratike i është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë”.
Gjithashtu, Osmani thuhet se e ka mirëpritur DiCarlo për të marrë pjesë në Forumin e Grave, Paqes dhe Sigurisë, i cili do të zhvillohet në datat 22-23 tetor në Prishtinë.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com