Pajisje

Apple zbulon modelet e reja të iPhone 14 dhe orën Ultra të aventurave


Apple-i ka prezantuar modelet e reja të iPhone 14 të aftë për të përdorur satelitët për të dërguar mesazhe emergjente.

Por edhe një orë Ultra të fokusuar në sporte aventurash.

Të tilla produkte do të testojnë nëse baza relativisht e pasur e klientëve të kompanisë do të vazhdojë të shpenzojë përballë inflacionit në rritje.

Çmimet e iPhone 14s të nivelit të lartë janë të njëjta me modelet e iPhone 13 të vitit të kaluar.

Sakaq, kompania ka hequr opsionin më të lirë, iPhone mini, që do të thotë se modeli më i lirë tani kushton 100 dollarë më shumë se vitin e kaluar.

iPhone 14 do të fillojë nga 799 dollarë dhe iPhone Plus nga 899 dollarë dhe do të jetë i disponueshëm për porositje paraprake duke filluar nga 9 shtatori.

Kurse iPhone Pro do të kushtojë 999 dollarë dhe iPhone Pro Max 1 mijë e 99 dollarë dhe do të jetë i disponueshëm më 16 shtator.

Vetë kompania ka bërë me dije se sateliti i saj SOS do të punojë me reaguesit e emergjencës.

Dhe se në disa situata, përdoruesit do të jenë në gjendje të përdorin aplikacionin FindMy për të ndarë vendndodhjen e tyre përmes satelitit kur nuk kanë lidhje tjetër.

Ndërkohë, shërbimi do të jetë falas për dy vjet me iPhone 14.

Modeli iPhone 14 Plus do të ketë një ekran më të madh si modelet iPhone Pro, por një çip procesor A15 si iPhone 13 i mëparshëm.

Kompania ka treguar gjithashtu një treshe të orëve të reja Apple, duke përfshirë një model të ri Watch Ultra që synon sportet ekstreme dhe i projektuar për të sfiduar specialistët e orëve sportive si Garmin dhe Polar.

Ultra ka një bateri më të madhe dhe rezistencë ndaj temperaturës për të operuar në mjedise të jashtme, si dhe gjurmim më të mirë GPS për sportet.

Orët e reja përfshijnë edhe një model të përmirësuar buxhetor të quajtur SE dhe një orë Seria 8 me zbulimin e përplasjeve dhe modalitetin me energji të ulët për 36 orë jetëgjatësi të baterisë.

Seria 8 ka një sensor të temperaturës që do të funksionojë në lidhje me aplikacionin e saj të gjurmimit.

Apple-i ka deklaruar gjithashtu se AirPods Pro i gjeneratës së dytë do të dyfishojë sasinë e anulimit të zhurmës në krahasim me versionin origjinal.

Por teksa aksesorët si Apple Watch kanë nxitur shitjet në rritje nga baza ekzistuese e përdoruesve të Apple-it, iPhone mbetet themeli i biznesit të tij me 52.4 për qind të shitjeve në vitin më të fundit fiskal.

Sakaq, Apple-i nuk ka dhënë asnjë pamje paraprake të kufjeve me realitet të përzier.

Pajisja pritet të ketë kamera që kalojnë pamjen e botës së jashtme te përdoruesi, ndërsa mbivendosin objektet digjitale në botën fizike.

Marrë nga “Reuters”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore