Nuk është habi që javët e fundit, të shohësh në rrugët e Beogradit dhe gjithë Serbisë, tubime të ndryshme, të pazakonta, në mbështetje të Rusisë dhe vendimeve të Moskës – apo një emri të vetëm, Vladimir Putin – sa i përket agresionit në Ukrainë.
Sipas një parashtrimi faktik të analistit të njohur mbi çështjet e dezinformimit, Dietmar Pichler, është “çmenduri” të mendosh se kush shtet e gëzon fatin e të qenit vend kandidat për në Bashkimin Evropian, përcjell Albanian Post.
Nëpërmjet një postimi në median sociale Twitter, Pichler parashtron disa të dhëna, mbi mbështetjen që popullatat e Serbisë dhe Ukrainës, kanë sa i përket aderimit në bashkësinë e madhe evropiane.
Në bazë të një studimi nga organizata ukrainase e studimeve sociologjike, 91% e popullatës atje e mbështet hyrjen në Bashkimin Evropian.
Nga ana tjetër, në Serbi, vetëm 35% e serbëve janë pro aderimin. Teksa kundër, shfaqen 44% e popullsisë, sipas një sondazhi të fundit të zhvilluar nga kompania prestigjioze e sondazheve, Ipsos.
91% of Ukrainians🇺🇦 support joining the EU🇪🇺
35% of Serbians🇷🇸 support joining the EU (44% against)
Guess who has a candidate status? Are we insane?
Rally in Belgrade: pic.twitter.com/EO6pN5BIEO
— Dietmar Pichler 🇪🇺🇺🇦 (@DietmarPichler1) April 23, 2022
Dukshëm, Ukraina është një vend shumë më pro-evropian se sa Serbia, nëse krahasohen këto të dhëna sasiore mbi çështjen.
Mirëpo, fakti është, se statusin e vendit kandidat, e gëzon Beogradi dhe jo Kievi.
Këtyre të fundit, vetëm së fundmi i është dorëzuar nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe më pas është plotësuar dhe kthyer mbrapsht nga ekipi i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, raporton Albanian Post.
Mirëpo, një tjetër aspekt që Pichler paraqet, është edhe ai i tubimeve që shpesh janë zhvilluar në Serbi, pro-Putinit, madje deri edhe me simbolin “Z” në pankarta, i cili është kthyer në stemë të një nazizmi modern të shekullit të XXI-ë.
“A jemi të çmendur?”, shtron pyetjen studiuesi.
Një pyetje, që sigurisht i drejtohet strukturave evropiane…
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com