Shqipëria

S’ka vendim për Metën – Kushtetuesja shtyn sërish seancën


Gjykata Kushtetuese të martën e 1 shkurtit vendosi të shtyjë seancën për çështjen e shkarkimit nga detyra të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Vendimi njoftohet se do të jepet në seancën e ditës së enjte, në orën 10:00.

Përfaqësuesi ligjor i Presidentit, Bledar Dervishaj kërkoi nga Kushtetuesja që të njihej me ekstraktin e përgjigjeve të Kuvendit dhe më pas të dëgjohej parashtrimi i Presidentit të Shqipërisë.

Më herët Gjykata i caktoi dy orë kohë përfaqësuesve të Kuvendit të Shqipërisë që t’u përgjigjet 50 pyetjeve të trupës gjykuese në lidhje me shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

Kështu u ndërpre seanca për dy orë me kërkesë të mazhorancës, duke rinisur më pas në 17:30.

Nga ana tjetër Dervishaj kërkoi që seanca të shtyhet për një ditë tjetër.

Kushtetusja rrëzon Metën për përjashtimin nga seanca të përfaqësuesve të Kuvendit - Top Channel

Gjykata vendosi që të shtyhet vetëm dy orë, duke rrëzuar kërkesën e Presidencës për shtyrjen me një ditë.

Vetë Presidenti nuk ka qenë i pranishëm në seancën e cila nisi në orën 10:00 të kësaj dite.

Gjatë kësaj dite ka nisur seanca për shkarkimin e Metës, ku asnjë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese nuk është tërhequr nga gjykimi.

Pretendimet e Presidentit

Seanca për shkarkimin e presidentit Meta, u zhvillua në mjediset e Gjykatës Kushtetuese, ku sipas mbrojtjes nga pala e Presidencës, kjo Gjykatë nuk mund ta gjykojë dot çështjen, pasi është e emëruar nga Qeveria dhe mandati i kryetares së saj, Vitore Tusha, ka përfunduar pesë vjet më parë dhe pritet zëvendësimi.

Për këtë shkak, mbrojtja e Metës, e sheh çështjen si të anshme. Në opinionin e tij, prej shtatë anëtarësh që ka momentalisht Kushtetuesja, gjashtë prej tyre janë emërime të Qeverisë. Tre prej këtyre emërimeve madje, kanë ardhur edhe me ndërhyrjen e Komisionit të Venecias.

Ky i fundit vetë, sipas mbrojtjes së Metës, ka theksuar disa herë se situata është e pafavorshme që të zgjidhen gjyqtarë për Kushtetuesen, pasi rrezikohet paanësia e tyre.

Një shkak tjetër i përmendur, është edhe shmangia e rregullores. Kjo, pasi sipas pretendimit, relatori i çështjes nuk është zgjedhur sipas shortit, por ka qenë që më parë i zgjedhur.

Në këto kushte, ka konflikt interesi mbi përzgjedhjen, pasi ka ndodhur në favor të një pale.

Çfarë ka ndodhur?

Pas tërheqjes për mbi një orë të trupës gjykuese, vendimi ishte i qartë.

Pretendimet e presidentit për kryetaren e gjykatës, Vitore Tusha, se i ka tejkaluar mandati, u rrëzua duke argumentuar se nuk është një pretendim kushtetues.

I rrëzuar po ashtu ishte edhe pretendimi i Metës për hedhjen e shortit për emërimin e gjyqtarit relator të çështjes. E njëjta gjë, edhe për emërimin e gjyqtarëve të Kushtetueses, të cilët u cilësuan si “të anshëm” nga përfaqësuesi ligjor i Presidencës, Bledar Dervishi.

Nga ana tjetër, sipas përfaqësueses së Presidencës, Katerina Treska, e gjithë çështja, është antikushtetuese.

Për të, kërkesa për shkarkimin e Metës, është bërë nga legjislatura e kaluar e Kuvendit. Si e tillë, legjislatura e re, duhet të rifillojë edhe një herë nga fillimi kërkesën për shkarkimin e presidentit.

Mbi këtë pretendim, trupa gjykuese u tërhoq sërish, për të marrë një vendim. Sipas arsyetimit, kryetarja aktuale e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka autorizuar kalimin e çështjes në legjislaturën e radhës.

Por, një vendim i prerë për pranimin ose jo të kërkesës paraprake nga Presidenca, nuk do të ketë tani.

Ai do të referohet në vendimin përfundimtar të Kushtetueses, kur të jepet edhe verdikti për çështjen Meta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore