Shqipëria

Në Presidencë apo në “rrugë” – Kushtetuesja vulos fatin e Metës


Më 1 shkurt 2022 Gjykata Kushtetuese në Shqipëri do të vulosë fatin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Pas një shtyrje të seancës, e cila ishte caktuar më 18 janar, sot do të shqyrtohet çështja për shkarkimin nga detyra të kreut të shtetit.

Seanca pritet të mbahet në orën 10:00.

Vetëm tre ditë më parë – më 29 janar – Presidenti kërkoi nga Kushtetuesja që t’i vihet në dispozicion dosja e plotë mbi çështjen e tij – duke vendosur si limit kohe datën 31 janar për të marrë përgjigje ndaj kërkesave të tij.

Meta shprehu keqardhje mbi komunikimin që ai ka pasur me institucionin më të lartë gjyqësor në vend, të cilin e ka quajtur jo “përmbajtjesor”.

Presidenti nuk është ndalur me kaq, duke akuzuar Gjykatën se nuk i ka kthyer përgjigje për ato çfarë Institucioni që ai drejton ka kërkuar.

Bashkangjitur kërkesës, Meta i është drejtuar Kushtetueses duke arsyetuar se pse vendimi dhe procedura që ka ndjekur Kuvendi i Shqipërisë për shkarkimin e tij më 9 qershor 2021, janë të gabuara.

Në letër po ashtu, Meta shpreh edhe një “zhgënjim” mbi kohëzgjatjen e procesit të gjykimit ndaj tij. Sipas presidentit, koha e caktuar ishte prej tre muajsh. Ky afat ndërkaq, është tejkaluar me më shumë se dyfishin e kohës.

Po ashtu, më 24 janar 2022, Meta i ka përcjellë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, kërkesën për nisje të një procesi disiplinor ndaj njërës prej gjykatëseve të Kushtetueses. Këtë kërkesë, Meta e reflekton edhe në letrën e hapur ndaj Gjykatës.

Fakti më me rëndësi për kreun e Shtetit dhe me të cilin lidhet edhe çështja kryesore, është ai i njoftimit të tij zyrtar me shqyrtimin. Një i tillë, nga Kushtetuesja, nuk është bërë karshi presidentit sipas letrës së Metës.

Ishte data 15 tetor 2021 kur Kushtetuesja mori zyrtarisht për shqyrtim kërkesën e Kuvendit për shkarkimin e tij nga posti, nën pretendimet e “shkeljeve të rënda të Kushtetutës”.

Shkarkimi i Metës nga Kuvendi i Shqipërisë

Kuvendi i Shqipërisë, Legjislatura e vjetër – IX-të –  më 9 qershor, shkarkoi zyrtarisht Metën, nga detyra e tij, pas katër vjetësh si kreu i shtetit.

Me 104 vota pro, shtatë kundër dhe tre abstenim, Kuvendi e miratoi kërkesën e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Metës.

Për shkarkimin e tij në total nevojiteshin 94 vota pro, të cilat u tejkaluan falë kartonëve jeshilë të opozitës së atëhershme parlamentare.

Brenda pesë ditëve, fjala i kaloi Gjykatës Kushtetuese – e cila do të vendosë nëse Meta do të qëndrojë apo jo në detyrën e tij si kreu i shtetit, deri në përfundim të mandatit në korrik 2021.

Ky shkarkim i presidentit ishte i paralajmëruar, pas vendimit të mazhorancës për të ngritur një komision të posaçëm hetimor për të.

Raporti i komisionit u miratua gjithashtu me 104 vota pro, duke i hapur rrugë votimit për pozitën e presidentit. Votim që konfirmoi shifrat e raportit.

Pse u kërkua shkarkimi i Metës?

Pas thirrjeve të presidentit Meta përpara fillimit të zgjedhjeve të 25 prillit, mazhoranca kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor për shkarkimin e tij – menjëherë pas fitores së mandatit të tretë radhazi.

Sipas socialistëve, Meta kishte kryer shkelje të rënda kushtetuese, duke bërë thirrje për dhunë parazgjedhore.

Gjithashtu ai ka dalë mbi palët sipas socialistëve dhe ka mbështetur qartësisht një palë karshi tjetrës.

Komisioni hetimor për shkarkimin e Metës u caktua, në të cilin u administruan provat filmike të pretendimeve socialiste.

Vetë Meta refuzoi të shkonte për të dëshmuar në Komision, pavarësisht se këtë e detyronte dhe përcaktonte ligji.

Pas konsultimit me ekspertët dhe këqyrjes së provave filmike, komisioni përpiloi raportin e tij përfundimtar.

Në të kërkohej shkarkimi i presidentit Meta, duke argumentuar se ai ka kryer shkelje të rënda kushtetuese.

Kuvendi i vjetër e dha fjalën më 9 qershor, tashmë Kushtetuesja ka në dorë fatin e Metës: Në Presidencë apo në rrugë!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore