Shqipëria

Meta “dhëmbë për dhëmbë” me Kushtetuesen, kërkon dosjen para 31 janarit


Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i është përgjigjur Gjykatës Kushtetuese mbi procesit vendimmarrës për shkarkimin e tij nga detyra, duke kërkuar t’i vihet në dispozicion dosja e plotë mbi çështjen e tij.

Që në nisje të letrës dërguar Kushtetueses, Meta shpreh një keqardhje mbi komunikimin që ai ka pasur me institucionin më të lartë gjyqësor në vend, ku komunikimin e ka quajtur jo përmbajtësor dhe ka akuzuar Gjykatën se nuk i ka kthyer përgjigje për ato çfarë Presidenca ka kërkuar.

Meta thekson në letër se i ka përcjellë qëndrimet e tija mbi shkarkimin nga Parlamenti, që më 1 korrik 2021. Këtu, ka bashkëngjitur edhe arsyetimin se pse vendimi dhe procedura që ka ndjekur Kuvendi për shkarkimin e tij, janë të gabuara.

“Në këto akte, i kam kërkuar Gjykatës Kushtetuese që ta marrë në shqyrtim sa më shpejt dhe të vendosë pa vonesë lidhur me këtë çështje”, shkruhet në letrën e Metës. Ai aty përmend edhe veprimtarinë kur Kuvendi ka qenë me dy vite mungesë të opozitës, pas djegies së mandateve nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim.

Këto dy parti, i lanë vend personave të renditur më poshtë në listë, të cilët morën mandate parlamentare dhe votuan më pas pro shkarkimit të Metës.

Akuzat kryesore mbi të cilat u bazua shkarkimi i Presidentit nga ana e mazhorancës, ishin ato të daljes nga roli i tij kushtetues, duke u përfshirë në fushatën zgjedhore të 25 prillit 2021.

Në letër po ashtu, Meta shpreh edhe një “zhgënjim” mbi kohëzgjatjen e procesit të gjykimit ndaj tij. Sipas presidentit, koha e caktuar ishte prej tre muajsh. Ky afat ndërkaq, është tejkaluar me më shumë se dyfishin e kohës

Po ashtu, më 24 janar 2022, Meta i ka përcjellë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, kërkesën për nisje të një procesi disiplinor ndaj njërës prej gjykatëseve të Kushtetueses. Këtë kërkesë, Meta e reflekton edhe në letrën e hapur ndaj Gjykatës.

Fakti më me rëndësi për kreun e Shtetit dhe me të cilin lidhet edhe çështja kryesore, është ai i njoftimit të tij zyrtar me shqyrtimin. Një i tillë, nga Kushtetuesja, nuk është bërë karshi presidentit sipas letrës së Metës.

Për këtë arsye, ai ka vendosur 31 janarin, si kohë limiti për të marrë një përgjigje ndaj kërkesave të tija.

Çështjet janë tre dhe lidhen me zhvillimin e mbledhjeve, pezullimin e çështjes për tre muaj dhe relatorin e çështjes.

Në rast se nga Kushtetuesja nuk ka një përgjigje, Meta ka paralajmëruar se një nga përfaqësuesit e institucionit që ai përfaqëson, do të paraqiten në gjykatë për të marrë kopjen e njehsuar të akteve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore