Zgjedhjet në Kosovë

Kosovë: Në 1 nga 5 programet e partive politike, termi grua nuk përmendet fare


Shumica e partive politike në Kosovë pretendojnë se do të punojnë në avancimin e pozitës së gruas në shoqëri. Por, njëra nga partitë më të mëdha në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk ka fare program për gratë, madje as që përmendet diku fjala “grua” në programin e saj.

Në kërkimet e Albanian Post rezulton se Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca e Ardhmërisë së Kosovës dhe NISMA Socialdemokrate, në programet e tyre parashohin të ndërmarrin masa që targetojnë veçanërisht gratë, përkundër Lidhjes Demokratike të Kosovës e cila nuk ka përfshirë fare mirëqenien e grave në program, ndonëse në fushatë kishte bërë premtime.

Në programin qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje thuhet se “do të fillojë zbatimi i programit të shtesave për fëmijët”.

Për fëmijët nën moshën 2 vjeçare parashihet shtesë mujore në vlerë prej 20 eurove, kurse për fëmijët nën moshën 16 vjeçare shtesë mujore prej 10 euro në muaj. Shtesat për fëmijë do të paguhen në llogari të nënave, thekson programi.

VV-së premton se “Qeveria jonë do të përkrahë pa kursyer gratë, qoftë përmes rritjes së pjesëmarrjes së tyre në fuqinë punëtore, ashtu edhe përmes mbështetjes aktive të saj në ndërmarrësi. Rritja e numrit të bizneseve në pronësi të grave është parakusht për fuqizimin edhe të ekonomisë”.

Këtë planifikojnë ta arrijnë me numrin e rritur të fëmijëve në çerdhe, kështu duke krijuar më shumë hapësirë për gratë që të kyçen në tregun e punës. Për më tepër, thuhet “përmes subvencionimit të çerdheve dhe lirimit të tyre nga obligimi për pagesën e tatimit në vlerën e shtuar do të ndihmojmë drejtpërdrejt në rritjen e punësimit të grave”.

Gjithashtu, parashihet edhe rregullimi i pushimit të lehonisë për gratë dhe burrat, si dhe pagesë për nënat e papuna.

“Pushimi i lehonisë dhe ai prindëror në total do të jenë 12 muaj, ku pjesëmarrës për pagesën do të jetë edhe shteti, dhe këtë mundësi do ta kenë të dy prindërit. Ndërsa për nënat që janë të papuna për 6 muajt e pushimit të lehonisë do t’u paguajmë pagën minimale prej 250 eurosh”.

Për t’i përmbledhur shkurtimisht, masat që Lëvizja Vetëvendosje parasheh t’i ndërmarrë për të avancuar pozitën e gruas janë: 1. Heqja e barrës për përkujdesje të fëmijëve me shtesë mujore prej 20 dhe 10 euro për muaj, ndarja e pushimit të lehonisë mes burrit dhe gruas, dhe pagesë mujore prej 250 euro për gratë e papauna.

Në programin qeverisës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, termet “grua”, “gratë” si dhe çdo trajtë tjetër gramatikore e këtyre fjalëve, nuk përmendet asnjëherë.

Ndonëse, në fushatën parazgjedhore të zhvilluar nga LDK është premtuar se do të ofrohet “pagesë 9 muaj nga shteti dhe 3 muaj nga biznesi për pushimin e lehonisë”, premtimi i tillë nuk dokumentohet asgjëkund dhe nuk shpjegohen hapat për ta arritur këtë.

Programi qeverisës i Partisë Demokratike të Kosovës parasheh ndërmarrjen e një sërë veprimesh që synojnë avancimin e gruas.

Duke cilësuar dhunën ndaj grave si një shkelje të shpeshtë të të drejtave dhe lirive të grave në Kosovë, “PDK-ja thotë se do ta aplikojë politikën e tolerancës zero kundrejt dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, si dhe do të angazhohet për përmirësimin e legjislacionit nga këndvështrimi gjinor dhe për marrjen e masave të rrepta ligjore ndaj formave të ndryshme të dhunës ndaj grave”.

PDK po ashtu premton se Agjencisë për Barazi Gjinore do t’i jepet ta administrojë Fondin për Barazi Gjinore i cili do të jetë specifikisht i dedikuar për Credit Guarantee Fund dhe për Start-Ups nga gratë dhe vajzat, si dhe programet e ndryshme të kualifikimit për gra në aspektin menaxherial.

Ndërsa për lehoni, PDK premton se do ta ulë koston e lehonisë në dy mënyra: “1) subvencionim i zëvendësuesit gjatë pushimit të lehonisë; 2) kompensim i një pjese të pagës së punëdhënësit për pushimin e lehonisë”.

Për bizneset private që punësojnë gra, PDK parasheh që për çdo grua të punësuar me kontratë njëvjeçare, tre muajt e parë të kompensimit të pensioneve t’i paguajë shteti.

Gjithashtu, sipas programit të PDK-së, gratë do të kenë përparësi në aplikimet që bëjnë për kredi, grante dhe subvencione, licenca, tenderë, etj.;

“PDK do ta hartojë dhe zbatojë projektin e “Programit të artizanatit”, siç janë, tekstil, filigran, punë dore në përgjithësi, pra që mundësojnë punë nga shtëpia. Target: Zonat e thella rurale dhe malore”.

Ndërsa, Aleanca e Ardhmërisë e Kosovës, në programin qeverisës parasheh 25 milionë euro që mbulon punësimin e 50 mijë grave. Ndonëse nuk ofrohen informata mbi burimin e kësaj shume parash, tregohet për shpërndarjen e tyre.

“Subvencionim i shumës prej 150 euro për tre muaj, për secilën grua të punësuar nga data e miratimit të këtij vendimi, me kusht që kontrata të jetë së paku 1 vjeçare dhe paga e plotë të mos jetë nën 270 euro. – 25 milionë euro (mbulon punësimin e 50 mijë grave)”.

Programi qeverisës i AAK-së premton se “do të sigurohen mundësi për qasje në arsim duke respektuar të drejtat e njeriut për”, në mesin e grupeve të ndryshme, “vajzat dhe gratë”. Kjo është e tëra që gratë përmenden shprehimisht në fushën e arsimit.

Edhe pse në program, nën kategorinë “Ndihma për qytetarë”, premtohet shtimi i vendeve të punës “veçanërisht për grupet më të margjinalizuara të shoqërisë (gratë)”, nuk elaborohet më tutje se çfarë konkretisht është planifikuar për të arritur synimin e tillë.

“Programi politik i NISMA-s Socialdemokrate do të ndihmonte integrimin, zhvillimin ekonomik të  qëndrueshëm, mundësitë e barabarta si për burrat  e po ashtu edhe gratë”, thuhet në programin qeverisës të kësaj partie.

NISMA po ashtu premton se do të jenë “subjekti i promovimit të barazisë gjinore në rajon”. Gjithashtu, në një përmbledhje të shkurtër me pretendimin për të avancuar pozitën e gruas, flitet përgjithësisht duke mos përfshirë asnjë plan të detajuar drejt realizimit të këtij premtimi.

Çfarë mendon shoqëria civile mbi këto programe?

Pikërisht mbi mënyrën se si janë shpalosur këto premtime të mëdha, si dhe mbi mundësitë për realizimin e tyre, tërheq vëmendjen drejtoresha e organizatës joqeveritare FOL, Mexhide Demolli – Limani, për Albanian Post.

“Përderisa nuk e shohim komplet një program i cili do të duhej të ishte shumë i detajuar, premtimet që i japin nëpër tubimet e ndryshme do të mbesim vetëm premtime elektorale siç jemi mësuar të kemi nga zgjedhjet e kaluara”.

Demolli – Limaj bën thirrje tek qytetarët se duhet të jenë më të rezervuar sa i përket besimit në këto premtime.

“Nëse ndonjë parti premton 1 miliardë euro investime, ajo parti do duhej të na tregonte në detaje se nga do vinin ato mjete”.

Me të drejtat ligjore dhe kushtetuese të cilat garantojnë barazi gjinore bie ndesh edhe pjesëmarrja e ulët e grave në aktivitete zgjedhore, gjë që ka përcjellë të gjitha proceset zgjedhore në Kosovë sipas Demollit – Limanit.

Të njëjtin trend – hapësirë dukshëm më e ulët që subjektet politike po ua ofrojnë grave gjatë aktiviteteve zgjedhore – ka evidentuar edhe Demokracia në Veprim (DnV).

“Vetëm 23% e folësve në aktivitetet e monitoruara ishin gra, ndërsa gratë përbënin 28% të pjesëmarrësve në këto aktivitete zgjedhore”, ka thënë DnV në një konferencë shtypi.

Ndërsa, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) konsideron se shumica e partive politike nuk kanë ofruar plane e as nuk kanë vendosur objektiva konkrete që do të fuqizonin rolin e gruas në secilën sferë në Kosovë.

“Disa parti kanë anashkaluar plotësisht sfidat e grave dhe vajzave në fusha të ndryshme, duke mos i renditur ato fare në programin e tyre qeverisës, e një gjë e tillë dëshmon mungesën e njohurive dhe përkushtimit për tu marrë me situatën diskriminuese në të cilën gjenden gratë dhe vajzat në Kosovë”, thotë për Albanian Post, Adelina Tërshani nga RrGK.

RrGK thotë se partitë politike duhet të konsultohen vazhdimisht me organizatat e të drejtave të grave në mënyrë që të propozohet një model i përshtatshëm dhe i pranueshëm për te dy prindërit në Kosovë.

Madje, thotë se planet e tilla të partive politike të bazohen në një analizë gjinore që i informon ata mbi gjendjen ekonomike të grave.

“Në vend të deklaratave popullsite, duhet që të vihet me plane konkrete dhe të realizueshme, siç do të ishte, për shembull, kalimi i barrës së pushimit të lehonisë në dorë të shtetit ashtu siç ndodh nëpër vendet e rajonit”.

RrGK mendon se gratë në Kosovë duhet të motivohen që të bëhen pjesë e fuqisë punëtore për të siguruar një pavarësi ekonomike dhe për ta ulë joaktivitetin e lartë ekonomik i cili tani është më shumë se 80%.

“Gjithsesi se nuk duhet të mungoj ndihma nga shteti për prindërit e rijnë, por kjo nuk duhet të ngatërrohet asnjëherë me mundësin që grave tu përmirësohen kushtet në tregun e punës dhe jo të motivohen nga shteti për të mbetur të papuna me pagesa qesharake të cilat edhe ashtu nuk mund të përballohen nga shteti”.

Me qëllim të përmirësimit të jetës së grave dhe vajzave në Kosovë, RrGK i bënë thirrje qeverisë së ardhshme që në programin e saj “të siguroj qe gratë më nuk do të privohen nga e drejta elementare për jetë duke siguruar që institucionet do të japin dënime meritore për vrasësit dhe dhunuesit e grave”.

“Përveç kësaj, duhet të ketë parasysh luftimin e diskriminimit në baza gjinore në tregun e punës dhe rrjedhimisht avancimin e të drejtave ekonomike të grave, dhe po ashtu të punoj fuqishëm në përmirësimin e pozitës së grave në vendimmarrje duke siguruar që hapësira publike që shfrytëzohet nga gratë të mos cenohet”, shtoi RrGK.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 14 shkurt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore