Lajme

Lista Serbe bojkoton – Kuvendi dështon të miratojë Projektligjin e Festave Zyrtare


Ilustrim: Kuvendi i Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës kanë dështuar përsëri në përpjekjen për të hedhur në votim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare dhe e gjithë kjo për shkak të bojkotit  të Listës Serbe në seancën plenare.

Ani pse, deputeti i komunitetit egjiptian, Fridon Lala, ishte iniciues i këtij plotësim-ndryshimi, mungesa e deputeteve nga radhët e Listës Serbe pamundësoi miratimin e tij, pasi që për të hedhur një hap të tillë nevojiten 2/3 e votave edhe të deputetëve të komuniteteve joshumicë.

Ndërkohë, ideatori i këtij ndryshimi të ligjit për festat zyrtare, deputeti, Fridon Lala, ka thënë se Lista Serbe po ia pamundëson komunitetit egjiptian që ta festojnë edhe zyrtarisht ditën ceremoniale të tyre.

Fridon Lala – Deputet në Kuvendin e Kosovës.

“Siç po shihet po vazhdon bojkoti i Listës Serbe, kështu që ky plotësim-ndryshim ka nevojë për 2/3 e votave të deputetëve dhe komuniteteve”, ka thënë Lala.

“Edhe sot mungon ky numër, kolegët tanë po e shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për t’ia mohuar një grupi tjetër, këtë rast komunitetit egjiptian për të pasur ditën ceremoniale të tyre”, shtoi ai.

Në anën tjetër, opinionin e Lalës e ka mbështetur edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili veprimet e Listës Serbe i quajti “të pandershme”.

Glauk Konjufca – Kryetar i Kuvendit të Kosovës.

“Pajtohem plotësisht është i padrejtë dhe pandershëm kushtëzimi që po e bënë Lista Serbe në këtë rast”, ka thënë Konjufca.

Përndryshe, Dita e Egjiptianëve në Kosovë shënohet me datën 24 qershor dhe vendimi për këtë ishte marrë me 27 dhjetor të vitit 2012, nga përfaqësuesit e subjekteve politike si dhe të shoqërisë civile nga Kosova.

“24 Qershori i vitit 1990 është dita kur përfaqësuesit e Egjiptianëve nga viset e ish RSFJ, menjëherë pas shenjave të para të pluralizmit, u mblodhën në Ohër të Maqedonisë dhe publikisht bënë thirrje që të pranohet pakica e Egjiptianëve”.

“Me 24 Qershor 1990, pas përpjekjeve të shumë gjeneratave të viteve ’50, ’70 për identitet të qartë etnik, u vendos gurthemeli për qartësimin e identitetit të Egjiptianëve të Ballkanit dhe nga vendimet e 24 Qershorit të vitit 1990 në vazhdimësi u përçua dhe u qartësua identiteti ynë Kombëtar”, u tha mes tjerash në deklaratën e publikuar aso kohe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore