Përballje

Lakers rikthehet te fitorja, gjejnë suksesin edhe Knicks e Nets


Orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës (me kohën tonë lokale) janë zhvilluar tri takime në ligën më të fortë të basketbollit në botë, NBA.

Skuadra e Los Angeles Lakers është rikthyer te fitorja, duke mposhtur në shtëpi Boston Celtics, me rezultat 117:102.

Një fitore kjo shumë e vështirë për Lakers, të cilët bënë diferencën në periodën e dytë dhe të tretë, për t’u rikthyer te suksesi, pas humbjes në ndeshjen e kaluar nga Clippers.

Jayson Tatum i Celtics ishte më i miri në këtë sfidë, duke shënuar 34 pikë, tetë kërcime e tre asistime.

Ndërsa te Lakers u dalluan LeBron James me 30 pikë, katër kërcime e pesë asistime, si dhe Westbrook me 24 pikë, tre kërcime dhe 11 asistime.

Fitore në këtë rreth mori edhe New York Knicks, që triumfoi përball San Antonio Spurs me shifrat 121:109.

Më i miri në këtë sfidë, ishte basketbollisti i Knicks, Barrett, i cili kontribuoi me 32 pikë, pesë kërcime dhe dy asistime.

Ndërkohë, fitore në këtë xhiro mori edhe Brooklyn Nets të cilët mposhtën me rezultat të ngushtë Dallas Mavericks 102:99.

Më i dalluari në këtë takim ishte James Harden i Nets, i cili arriti të shënojë 23 pikë, nëntë kërcime dhe 12 asistime.

Me këtë fitore, Nets tani kryesojnë në Konferencën e Lindjes, ku kanë arritur 17 fitore, kundrejt shtatë humbjeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore