Përballje

Ngec Napoli, ndërsa Milani rikthehet te fitorja


Napoli ka lëshuar nga duart tre pikët e radhës, teksa barazoi me rezultat 2:2 ndaj Sassuolo-s, në ndeshjen e xhiros së 15-të në Serie A.

Pjesa e parë e këtij takimi nuk prodhoi gola, përkundër disa rasteve të mira nga të dyja skuadrat.

Me të filluar pjesa e dytë, Fabian Ruiz zhbllokoi rezultatin, i cili shënoi pas asistimit të Zielinski-t, derisa nëntë minuta më vonë, Napoli dyfishoi rezultatin me golin e shënuar nga Dries Mertens, ku përsëri ishte asistues Zielinski.

Sasssuolo më pas ngushtoi diferencat në minutën e 72-të, me golin e shënuar nga Gianluca Scamacca, derisa Gian Marco Ferrari arriti të barazojë rezultatin në minutën e fundit të kohës së rregullt.

Fundi u bë më dramatik në minutën e tretë shtesë, pasi Sassuolo shënoi golin e tretë, por më pas ai u anulua nga VAR-i për shkak të një faulli.

Me këtë barazim, Napoli përsëri ruan vendin e parë me 36 pikë, të ndjekur nga Milan-i me 35 dhe Inter-i me 34 sosh.

Në ndeshjen tjetër, Milan-i u rikthye te fitorja pas dy humbjeve radhazi, teksa mposhti me lehtësi Genoa-n, me rezultat 3:0, ku protagonist kryesor ishte talenti brazilian, Junior Messias, i cili shënoi dy gola.

Fillimisht serinë e golave e hapi Zlatan Ibrahimovic, i cili shënoi një gol të bukur nga goditja e lirë në minutën e 10-të të takimit.

Në fundin e pjesës së parë, Messias shënoi gjithashtu një gol të bukur me kokë, duke paraboluar portierin Sirigu, derisa ky ishte goli i parë në Serie A për brazilianin.

Pjesa e parë përfundoi me epërsi të dyfishtë të kuqezinjve, derisa edhe të dytën në përgjithësi ata dominuan ndeshjen.

Messias gjeti golin e dytë të tij në minutën e 61-të, i cili realizoi një goditje të saktë në hyrje të zonës, për rezultatin përfundimtar 3:0.

Me këtë fitore, Milan-i rimerr vendin e dytë në tabelë, me 35 pikë, një më shumë se Inter i vendit të tretë dhe tre më pak se Napoli i vendit të parë.

Xhiro e 15-të në Serie A italiane do të mbyllet të enjten me dy ndeshje: Torino – Empoli dhe Lazio – Udinese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore