Sport

Tre ndeshje për të mbyllur javën në La Liga, Atletico Madrid dhe Real Sociedad në fokus


Real-i barazoi, Barcelona humbi.

Dita e enjte në kuadër të javës së 11-të në elitën e futbollit spanjoll, mund të shërbejë që ekipe si Atletico Madrid dhe Real Sociedad të përfitojnë në maksimum.

Në fakt, e vetmja skuadër që mund t’ia marrë kreun Real Madrid-it këtë javë, është skuadra baske, Real Sociedad.

Ata edhe e nisin ditën sot, në orën 19:00.

Skuadra e Imanol Alguacil ka disa mungesa në vizitën e tyre te Celta Vigo, që kërkon shkëputjen nga zona e ftohtë.

Sociedad ka 21 pikë, aq sa kanë Betis-i, pastaj Sevilla dhe Real-i që kanë një ndeshje më tepër për të zhvilluar.

Një fitore sonte, do t’i ngriste ata të vetmuar në krye, të paktën për 48 orë.

Ndeshja që fillon në orën 20:00, luhet direkt për mbijetesën.

Granada në “Los Carmenes”, pret Getafe-n që pas dhjetë ndeshjesh ka pasur një fillim katastrofal, me dy pikë.

Një tjetër skuadër që ende nuk ka gjetur fitoren luan sonte si vendas, përballë pretendentëve për titullin.

Levante e pesë barazimeve dhe pesë humbjeve, ende pa asnjë fitore, pret Atletico Madrid-in në “Cituat de Valencia”.

Derisa Levante kërkon shkëputjen nga zona e ftohtë, Atleti kërkon ngjitjen me kreun.

Ndeshja pritet të jetë shumë interesante, me të dyja skuadrat që fitoren e kanë pothuajse të detyruar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore