Shqipëria

Mes masave dhe emocioneve, nis viti i ri shkollor


Të hënën e 27 shtatorit, në Shqipëri, nisi zyrtarisht viti i ri shkollor parauniversitar 2021-2022.

Edhe pse mësimi do të zhvillohet fizikisht në shkolla, ambientet mësimore do të jenë nën masa të përcaktuara nga ekspertët e anti-COVID.

Mënyra e funksionimit të mësimdhënies, sipas njoftimeve zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MASR), për të gjithë arsimin parauniversitar, nga klasa e parë deri tek e 12-ta, do të jetë sërish me turne.

Për Albanian Post, eksperti i arsimit në Shqipëri, Ndriçim Mehmeti, ka shpjeguar se kjo metodë “krijon vështirësi të mëdha për të gjitha grup-moshat”.

Sipas tij, mësuesja ka kohë vetëm “t’i japë dijet e reja në 30 minuta”. Për rrjedhojë, “nxënësit do t’i duhet të punojë shumë në shtëpi, për t’i rimarrë këto dije, për t’i analizuar dhe interpretuar”, shpjegon Mehmeti.

Gjithashtu, ai sjell në vëmendje se, puna me projekte, puna e pavarur, zgjerimi i klasave sportive, orët e krijimtarisë (siç janë muzika, piktura), orët e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) dhe laboratorët nuk do të jenë pjesë reale e mësimdhënies.

“Në këtë situatë, efektiviteti i shkollave me turne është zero”, thekson eksperti.

I të njëjtës linjë është dhe eksperti i arsimit pranë organizatës Qëndresa Qytetare, Rigels Xhemollari, i cili për Albanian Post thotë se mësimdhënia me turne “do të sjellë kaos për fëmijët”.

“Udhëzimi për të realizuar mësimin me turne në shkollat e arsimit parauniversitar, së pari do të vijojë të sjellë kaos për fëmijët”, shprehet ai, duke vënë theksin dhe te mungesat logjistike apo kapacitetet e mësuesve për zhvillimin e mësimit online.

Edhe Xhemollari vë në qendër arsyen se, “30 minuta për një lëndë, janë shumë pak”, për të shpjeguar, analizuar dhe përthithur informacionin e nevojshëm.

Ndonëse kjo praktikë “është menduar të vijojë për një kohë të gjatë”, dëmi ndaj nxënësve, sipas tij, “ka për të qenë i parikuperueshëm”.

Mësimet plotësuese

“MASR deklaroi në fund të qershorit se janë bërë testime në të gjithë arsimin, dhe mësimi online ka qenë i suksesshëm”, shprehet eksperti Mehmeti, duke bërë paralelizëm të asaj që u tha dhe asaj që u bë.

“Më pas, u njoftua se do të kryhej mësimi plotësues”, vijoi ai.

Kjo edhe pse, sipas Mehmetit, nuk ka pasur një program të miratuar, pa tekste shkollore, pasi dihet që nxënësit në arsimin 9-vjeçar i dorëzojnë tekstet që në fund të qershorit.

“Gjithashtu pa një plan të qartë se për cilat lëndë apo mësime tema mësimore lipsej të bëhej mësimi plotësues”.

Kurse Xhemollari shpjegon se mësimi plotësues do të jetë efektiv për katër ose pesë vitet e ardhshme, duke marrë parasysh shkëputjen nga edukimi gjatë pandemisë.

Kjo nuk ka qenë shumë e favorizuar nga kushtet logjistike, tha eksperti, duke dhënë shembuj ku bashkitë nuk mbulojnë dot transportin e nxënësve që i kanë shkollat më larg se 20 minuta nga shtëpitë.

Masat e pandemisë

Rreth masave të pandemisë, Xhemollari thekson se zbatimi i tyre “do të jetë i ulët”, nëse do të kemi tolerancë si në rastet e bar kafeve, kinemave etj.

Duke qenë se masat lidhen drejtpërdrejt me protokollet e vendosura nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), nëse do të ketë seriozitet nga menaxherët e shkollave, “protokollet mund të zbatohen lehtësisht duke ruajtur jetën e nxënëseve dhe familjareve të tyre”.

Ndërsa Mehmeti vë në dukje mungesën e kapaciteteve për respektimin e masave ndaj përhapjes së pandemisë COVID-19.

“Shkollat u pajisën me atë që quhej porta e dezinfektimit, e cila ka muaj që nuk punojnë, pasi bashkia nuk i furnizon me hidrantë”, shprehet ai për Albanian Post.

Sipas tij, mësimi në auditorë nuk do të zgjasë shumë.

“Pa kaluar një muaj, do të kalojmë në mësimin online, për shkak se situata do të na dalë jashtë kontrollit, si në shkolla, ashtu edhe në universitete”.

Që prej fillimit të fushatës së vaksinimit, janë vaksinuar me dozën e parë mbi 80% e arsimtarëve. Kurse, mbi 60% e tyre i kanë marrë të dyja dozat.

“Vit të mbarë shkollor”

Më herët, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ka uruar nxënësit për vitin e ri shkollor, përmes një video-mesazhi.

Ajo ka theksuar se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për ta nisur “mbarë” këtë vit shkollor.

Nxënësit prej 1 shtatorit kanë zhvilluar mësime plotësuese për të përsëritur temat e vitit të kaluar.

Gjithashtu, gjuha angleze do të jetë e detyrueshme që në klasën e parë. Edhe gjatë fjalës së mbajtur nga foltorja e Kuvendit, Kushi ka folur mbi reformat për arsimin, në katër vitet e ardhshme.

Ajo ka theksuar se do të ketë risi në sistemin arsimor, sa i përket programit të sporteve, arteve, zhvillimit të kompetencës digjitale dhe futjes së gjuhës angleze që nga klasa e parë.

Ndërsa librat janë falas për nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën.

Klasat e ciklit fillor dhe atij të ulët, kanë marrë librat shkollorë falas, siç është lajmëruar edhe më herët.

Pjesë përftuese e kësaj skeme, do të jenë edhe fëmijët në nevojë për klasat 10-12. Ndërsa ata nga klasa e parë deri në të nëntën, do t’i përfitojnë të gjithë falas.

280 mijë nxënës, janë pjesë e gjithë kësaj skeme. Ndërsa librat, janë botime nga prestigjiozët botërorë si “Oxford”, “Pearson” dhe “Cambridge”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore