Shqipëria

Përfundon takimi në Pallatin e Brigadave, Rama nderon me medalje Merkel-in


Kancelarja Angela Merkel dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Pallatin e Brigadave

Takimi midis kancelares gjermane, Angela Merkel, dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që nisi në orët e para të 14 shtatorit, përfundoi me nderimin e kancelares gjermane me një medalje.

Në një video të publikuar në median sociale “Facebook”, shfaqet kryeministri duke i dorëzuar kancelares medaljen.

Kancelarja gjermane u nderua me Kordonin e madh me yll të Medaljes së Kryeministrit, me motivacionin “për Mirënjohje Publike”.

Sipas agjendës së vizitës së kancelares, të dyja delegacionet u janë bashkangjitur krerëve të qeverive të Ballkanit Perëndimor në ambientet e Tirana Business Park, në zonën e Rinasit.

Kjo, në kuadër të takimit mes kryeministrave të shteteve të Ballkanit Perëndimor, që nuk janë anëtarë të BE-së; Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut.

Mbërritja e Merkel-it

Sapo mbërriti në Tiranë, ndalesa e parë e kancelares gjermane, Angela Merkel, ishte në Pallatin e Brigadave, ku u prit nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Me një ceremoni në nder të saj, u luajtën si himni i Republikës Federale të Gjermanisë, ashtu edhe himni i Republikës së Shqipërisë.

Më herët, ajo u prit nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, në Aeroportin e Rinasit.

Pas përfundimit të ceremonisë pritëse, kancelarja u takua me delegacionin shqiptar, që udhëhiqej nga kryenegociatori për Zhvillimin e Negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Zef Mazi.

Kancelarja Angela Merkel duke zbritur nga makina në Pallatin e Brigadave, në Tiranë

Sot, më 14 shtator, Angela Merkel po zhvillon vizitën e saj të fundit në Shqipëri si Kancelare e Republikës Federale të Gjermanisë.

Pasi përmbylli vizitën e saj në Serbi një ditë më parë, ku u takua me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, Merkel po viziton Shqipërinë.

Kancelarja Angela Merkel dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Pallatin e Brigadave

Pas përfundimit të takimit, në rang kryeministral në Shqipëri me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Merkel dhe Rama do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Agjenda

10.20 – Ceremonia e mikpritjes në Pallatin e Brigadave

10.30 – Takim mes kryeministrit Edi Rama dhe kancelares Angela Merkel në Pallatin e Brigadave

11.00 – Takim bilateral mes dy delegacioneve në Pallatin e Brigadave

11.50 – Mbërritja e kryeministrit dhe krerëve të qeverive të Ballkanit në Tirana Business Park

11.55 – Mbërritja e kancelares Merkel në Tirana Business Park

12.00 – Foto familjare me krerët e delegacioneve në Tirana Business Park

14.35 – Konferencë për shtyp mes kryeministrit Rama dhe kancelares Merkel në Tirana Business

Kancelarja Angela Merkel, së bashku me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, gjatë ceremonisë së pritjes në nder të kancelares
Vizita “e fundit” si kancelare në Tiranë

Kjo vizitë e Merkel-it është e fundit si kancelare jashtë shtetit. Ajo ka zgjedhur pikërisht Shqipërinë për të takuar liderët e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Procesit të Berlinit.

Iniciativa e nisur nga Merkel dhe e pagëzuar si “Procesi i Berlinit” ka qenë ndërmarrja dhe suksesi më i madh i kancelares, e cila tashmë po afron dy dekada në pushtet.

Burime të Albanian Post nga Berlini kanë bërë me dije se takimi i Tiranës është edhe një tentativë e fundit që Merkel t’i japë një shtytje partisë së saj, Unionit Kristian-Demokratik (CDU), në zgjedhjet që pritet të mbahen më 26 shtator.

Veç kësaj, burimet thonë se është zgjedhur Tirana, si notë falënderuese e Merkel-it për qeverinë shqiptare dhe kryeministrin Edi Rama, si lideri më aktiv dhe influencues në shtyrjen përpara të synimeve të Procesit.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel
Masat policore

Policia e Shtetit, në një deklaratë zyrtare, ka bërë me dije masat e reja të ndërmarra në kuadër të vizitës së kancelares gjermane, Angela Merkel, në Tiranë më 14 shtator.

Në disa segmente rrugore, për motive sigurie, gjatë ditës së sotme do të ketë bllokime dhe devijime të lëvizjes së automjeteve, konkretisht në Rinas-Unaza e Re, Sauk, Rruga e Elbasanit deri te Pallati i Brigadave.

Policia e Shtetit ka kërkuar mirëkuptimin e drejtuesve të automjeteve që të shmangin lëvizjen në këto segmente rrugore, me qëllim moskrijimin e mbingarkesës në trafik nga ora 09:00 deri në orën 13:00.

Po ashtu, Policia ka bërë thirrje që të përdorin rrugë alternative për të shkuar në destinacionet e tyre.

Deklaratat në Serbi

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, deklaroi se një nga qëllimet e Gjermanisë është bashkimi i gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian, por ato kanë një “rrugë të gjatë” për të bërë para se të hyjnë në bllok.

Merkel i bëri komentet nga Beogradi, gjatë një konference të përbashkët shtypi me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, me të cilin u takua më 13 shtator.

Ky është udhëtimi i saj i “lamtumirës” në rajon, ndërsa mandati i saj si kreu i qeverisë gjermane po përfundon.

Kancelarja Angela Merkel dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, më 13 shtator 2021

Pas 16 vitesh në krye të politikës evropiane, Merkel do të tërhiqet në fund të mandatit të saj të katërt si kancelare pas zgjedhjeve gjermane më 26 shtator.

Vizita e saj në Ballkan vjen gjithashtu përpara samitit të ardhshëm BE-Ballkan, që do të mbahet në muajin tetor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore