Shqipëria

Merkel mbërrin në Tiranë, pritet nga ministrja Xhaçka


Kancelarja gjermane Angela Merkel ka mbërritur në Rinas, ku është pritur nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ambasadori gjerman në Shqipëri, Peter Zingraf dhe ambasadori shqiptar në Gjermani, Artur Kuko.

“Nder dhe kënaqësi t’i uroja mirëseardhjen Kancelares Gjermane, Angela Merkel, e cila mbërriti në Tiranë për takime të rëndësishme me Kryeministrin Edi Rama dhe liderët e rajonit”, shkruan ministrja në median sociale Facebook.

Ajo ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e Merkel-it për integrimin  të Ballkanit Perëndimor si dhe për forcimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e rajonit tonë.

Të martën e 14 shtatorit, Angela Merkel do të zhvillojë vizitën e saj të fundit në Shqipëri si Kancelare e Republikës Federale të Gjermanisë.

Pasi përmbylli vizitën e saj në Serbi më 13 shtator, ku u takua me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, Merkel pritet të vizitojë Shqipërinë.

Në Tiranë është planifikuar një takim me kryeministrat e të gjashta shteteve të Ballkanit Perëndimor që nuk janë anëtarë të BE-së; Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut.

Fillimisht, ajo do të pritet me një ceremoni në Pallatin e Brigadave, e parashikuar në orën 10:20.

Itinerari do të zhvendoset në orën 11:00, te Tirana Business Park, në zonën e Rinasit, ku të pranishëm do të jenë edhe krerët e qeverive të Ballkanit.

Më pas, Merkel dhe Rama do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore