Lajme

Qendrat tregtare e klubet e natës do të kërkojnë vizitkartën e vaksinimit


Karta e vaksinimit

Nga data 20 gusht në Kosovë, qytetarët që nuk paraqesin dëshmi të vaksinimit mund t’iu ndalohet hyrja në qendra tregtare, ahengje familjare si dhe në restorante.

Kjo masë është e paralajmëruar nga Oda e Hotelerisë dhe Turizmit nga Shoqata e Gastronomeve.

Por, në Ministrinë e Shëndetësisë, në një përgjigje me shkrim i kanë thënë Albanian Post se ende nuk është vendosur për një masë të tillë.

“MSH-ja ka përditësuar udhëzuesit e përkohshëm për masat e përgjithshme dhe të veçanta për mbrojtja nga COVID-19 ku përfshihet edhe sektori i gastronomisë dhe sipas këtyre udhëzuesve, organet mbikëqyrëse, sikurse edhe menaxherët e këtyre veprimtarive janë të obliguar që t’i zbatojnë masat anti-COVID-19, kuptohet nëse masa të tilla do të ndërmerren”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.

Megjithatë, një masë e tillë, e cila dëshmon vaksinimin për të qenë pjesë e aktiviteteve shoqërore, identifikimi i atyre që janë vaksinuar dhe atyre që nuk e kanë bërë këtë, është i lehtë sepse çdo i vaksinuar merr kartelën e vaksinimit dhe ka edhe QR kodin që identifikon statusin rreth vaksinimit.

Ndërkaq, kjo masë, sipas Arian Vranincës nga Shoqata e Gastronomeve, është e vetmja mundësi për të shpëtuar këtë sektor nga mbyllja totale si dhe për të mos pasur humbje ekonomike në vend.

“Në takimet të cilat i kemi pasur me shtabin nacional të Kosovës, Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia së bashku me kabinetin e tij, do të thotë ka pasur disa variante të ndryshme të cilat mund të ndërlidhen në raport me këtë shpëtimin epidemiologjik, i cili është shtuar edhe më tepër gjatë ditëve të fundit”, ka thënë Vraninca.

Sipas tij, “Kjo ka qenë e vetmja zgjidhje që të mund të dalim me pasoja më të lehta nga kjo gjendje dhe në mënyrë që t’i i ikim një mbyllje momentale”.

Ndërkohë, sektori i gastronomisë është duke zhvilluar fushatën për vaksinimin, në të kundërtën, siç shton Vraninca, lokalet e gastronomisë nuk do të mund të frekuentohen.

“Me procesin e vaksinimit një gjë e tillë reduktohet andaj, ka qenë ndaj të gjitha varianteve të tjera, varianti me i përshtatshëm, tani po presim të merret një vendim, nesër gjatë mbledhjes së Qeverisë. Ku do të lidhen me shumë gjasë procesi i vaksinimit i personave të cilët futën në klube të natës në salla të dasmave dhe në festivale, do të thotë të pajisur me librezë të vaksinës”.

Në anën tjetër, Visar Demolli, drejtor ekzekutiv në Odën e Hotelerisë dhe Turizmit ka thënë se kanë mbajtur takim për këtë qëllim.

“Çdo qytetar i Kosovës në mënyrë që të marrë pjesë në çdo aktivitet shoqërorë, qoftë qendër tregtare, klube të natës apo në ahengjet familjare obligohet që të marrë vaksinën anti-Covid-19, sepse nga data 20 gusht do të kërkohet që të paktën dozën e parë ta kenë të përfunduar përndryshe nuk mund të marrin pjesë në asnjë aktivitet”, shprehet Demolli.

Ndërsa, ai shton se do të ketë zgjatje të orarit edhe në klubet e natës.

“Gjithashtu, sa i përket orarit të klubeve të natës u bisedua që të ketë zgjatje pra, këto aktivitete të fillojnë nga ora 23:00 deri në ora 03:00 pas mesnate”.

Deri më 11 gusht, në Kosovë janë administruar, 174 mijë e 991 persona me të dyja dozat e vaksinave, ndërsa shifra totale e vaksinave të dhëna është 521 mijë e 737.

Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, të mërkurën e 11 gushtit ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit është regjistruar edhe një viktimë nga Coronavirusi dhe 888 raste të reja nga 6 mijë e 86 mostra.

Aktualisht, Ministria e Shëndetësisë, ka prezantuar një video-material me moton “Vaksinohu, Delta po vjen!”, përmes së cilës u bën thirrje të gjithë personave mbi moshën 18-vjeçare që të marrin vaksinën kundër Coronavirusit.

Kosova është ndër vendet me shkallën më të ulët në vaksinimit në rajon, ani pse autoritetet kanë thënë se ka vaksina të mjaftueshme për të gjithë të rriturit.

Qytetarët e Kosovës mund të zgjedhin mes vaksinave të prodhuesve Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca për t’u imunizuar kundër COVID-19.

Ndërkohë, që varianti Delta i Coronavirusit vazhdon të përhapet si në Kosovë, ashtu edhe në pjesën më të madhe të botës, qeveritë kanë prezantuar masa të ndryshme për të nxitur vaksinimin.

Disa janë kritikuar dhe kanë nxitur protesta, tjerat duket se kanë funksionuar dhe kanë rritur lakoren e vaksinimit.

Vendet si Franca dhe Italia e kanë bërë të detyrueshëm dëshminë për vaksinim apo test negativ për Coronavirus, për të pasur qasje në një mori aktivitetesh.

Pakistani ka qenë edhe më i rreptë. Dhjetëra mijëra persona janë nisur drejt qendrave të vaksinimit më 5 gusht, pasi zyrtarët kanë bërë të ditura ndëshkimet për të pa-vaksinuarit, përfshirë bllokim të numrave të telefonit, ndalesë për hyrje në zyre, restorante, qendra tregtare dhe mjete transporti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore