Lajme

Ministria e Shëndetësisë: Gjatë fundjavave ka vaksinim


Salla e vaksinimit “1 tetori”

Edhe pse është raportuar se sallat e vaksinimit në Kosovë nuk janë duke vaksinuar qytetarë gjatë fundjavës, Ministria e Shëndetësisë (MSH) në një përgjigje me shkrim për Albanian Post ka thënë se nuk është e vërtetë që nuk ka vaksinim gjatë fundjavës.

“Nuk është e vërtetë që nuk ka vaksinim gjatë fundjavës, ka intensitet më të vogël, sepse fundjavave administrohen vetëm dozat e dyta”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas, MSH-së, në ato qendra ku arrijnë të shtyjnë vaksinimin deri të premten nuk do të punohet, ndërsa në të tjerat ku nuk shtyhet vaksinimi do të punohet.

“Në ato qendra, ku dozat e parapara për fundjavë, arrihet të s’postohen për të premten, nuk punohet, ndërsa në qendrat e tjera po”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ndërsa sipas MSH, çdo ditë kemi rritje të numrit të vaksinuarve.

“Çdo ditë po rritet numri i të vaksinuarve dhe interesimi për vaksinim, po punohet sipas planit për vaksinim në masë për të adresuar dhe realizuar çdo kërkesë dhe termin të caktuar për vaksinim”.

Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, të mërkurën e 11 gushtit ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit është regjistruar edhe një viktimë nga Coronavirusi dhe 888 raste të reja nga 6 mijë e 86 mostra.

Numri i personave të vaksinuar me të dyja dozat e vaksinave ka shkuar në 174 mijë e 991, ndërsa shifra totale e vaksinave të dhëna është 521 mijë e 737.

Aktualisht, kjo Ministri ka prezantuar një video-material me moton “Vaksinohu, Delta po vjen!”, përmes së cilës u bën thirrje të gjithë personave mbi moshën 18-vjeçare që të marrin vaksinën kundër Coronavirusit.

Kosova është ndër vendet me shkallën më të ulët në vaksinimit në rajon, ani pse autoritetet kanë thënë se ka vaksina të mjaftueshme për të gjithë të rriturit.

Qytetarët e Kosovës mund të zgjedhin mes vaksinave të prodhuesve Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca për t’u imunizuar kundër COVID-19.

Ndërkohë, që varianti Delta i Coronavirusit vazhdon të përhapet si në Kosovë, ashtu edhe në pjesën më të madhe të botës, qeveritë kanë prezantuar masa të ndryshme për të nxitur vaksinimin.

Disa janë kritikuar dhe kanë nxitur protesta, tjerat duket se kanë funksionuar dhe kanë rritur lakoren e vaksinimit.

Vendet si Franca dhe Italia e kanë bërë të detyrueshëm dëshminë për vaksinim apo test negativ për Coronavirus, për të pasur qasje në një mori aktivitetesh.

Pakistani ka qenë edhe më i rreptë. Dhjetëra mijëra persona janë nisur drejt qendrave të vaksinimit më 5 gusht, pasi zyrtarët kanë bërë të ditura ndëshkimet për të pa-vaksinuarit, përfshirë bllokim të numrave të telefonit, ndalesë për hyrje në zyre, restorante, qendra tregtare dhe mjete transporti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore