Lajme

90% e vajzave të reja në vendet e varfra nuk kanë qasje në internet


Rreth 90 për qind e vajzave adoleshente dhe grave të reja në vendet më të varfra nuk hyjnë në internet, një përqindje më e lartë se djemtë dhe burrat e së njëjtës moshë, sipas një raporti të UNICEF-it, i cili nënvizon rolin e arsimit në këto pabarazi.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “AFP” dhe gazeta “Le Figaro”.

Në vitin 2020, Unicef dhe Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit vlerësuan se vetëm 37 për qind e të rinjve të moshës 15 deri në 24 vjeç në mbarë botën kishin qasje në internet në shtëpi.

Por ky vlerësim “fsheh pabarazitë e habitshme gjinore, të lidhura me aksesin në pajisje, përdorimin e internetit dhe aftësitë dixhitale brenda familjeve”, thekson raporti i UNICEF-it i publikuar të mërkurën.

Prandaj, agjencia e OKB-së këqyri të dhënat e përdorimit nga anketat në 54 vende, kryesisht vende me të ardhura të ulëta dhe disa me të ardhura të mesme.

Rezultati, “në vendet me të ardhura të ulëta, 90 për qind e vajzave adoleshente dhe vajzave të reja të moshës 15 deri në 24 vjeç (rreth 65 milionë njerëz) nuk janë në internet, krahasuar me 78 për qind të djemve adoleshente dhe të rinjve të së njëjtës moshë (afërsisht 57 milionë) që nuk përdorin internetin”, vlerëson raporti.

“Kalimi i hendekut dixhital midis vajzave dhe djemve nuk ka të bëjë vetëm me sigurimin e aksesit në internet dhe teknologji”, tha Robert Jenkins, drejtor i arsimit në UNICEF, në një deklaratë. “Ka të bëjë me fuqizimin e vajzave që të bëhen novatore, krijuese, lidere”.

Sipas tij, raporti thekson se megjithëse vajzat në përgjithësi kanë aftësi më të mira të leximit, kjo nuk përkthehet në sferën dixhitale.

Në këto vende, “vajzat adoleshente dhe të rejat harrohen dhe lihen pas përsa i përket njohurive dixhitale”, shprehet me keqardhje UNICEF, e cila thekson veçanërisht rëndësinë e mjedisit familjar dhe edukimit në këtë situatë.

“Nëse duam të trajtojmë pabarazitë gjinore në tregun e punës, veçanërisht në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë, duhet të fillojmë tani duke ndihmuar të rinjtë, veçanërisht vajzat, të fitojnë aftësi dixhitale”, bëri thirrje Robert Jenkins.

Hendeku është gjithashtu i madh kur bëhet fjalë për qasjen në telefonat celularë, sipas raportit.

Kështu, në 41 nga vendet e studiuara, vajzat dhe gratë e reja të moshës 15 deri në 24 vjeç janë “kryesisht të pafavorizuara”, me një shans mesatarisht 13 për qind për të zotëruar një telefon celular, “duke kufizuar aksesin e tyre në botën dixhitale”, e cila megjithatë është thelbësore në ekonominë e shekullit të 21-të.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore