Lajme

9 mijë aplikime nga diaspora për zgjedhjet e tetorit në Kosovë


Ilustrim

Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 17 tetor, me këtë rast është duke vazhduar aplikimi i votuesve nga diaspora për zgjedhjet lokale.

Afati për regjistrim për votim jashtë Kosovës ka filluar më 10 korrik, kurse do të përmbyllet më 18 gusht.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka deklaruar për Albanian Post se deri tani kanë pranuar rreth 9 mijë aplikime.

“Deri më tani kemi pranuar rreth 9 mijë e 600 aplikime për regjistrim si votues jashtë Kosovës. Afati për këtë periudhë përfundon më 18 gusht. Pas kësaj date do të kemi një raport të detajuar nga shërbimi votues se sa nga këta aplikues janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës dhe sa jo, pasi nuk kanë plotësuar kriteret ligjore”, ka thënë Elezi.

Ai ka potencuar se të gjithë aplikuesit që plotësojnë kriterët ligjore, do të mund të votojnë edhe në një fazë të mëvonshme.

“Të gjithë aplikuesit që plotësojnë kriteret ligjore, pra që arrijnë të regjistrohen si votues jashtë Kosovës, do të mund të votojnë përmes postës në këto zgjedhje, gjatë një faze të mëvonshme e cila fillon më 15 shtator. Fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja më së largu deri më 15 tetor”.

Gjatë periudhës 40 ditore, shtetasit e Kosovës më të drejtë vote që jetojnë jashtë Republikës së Kosovës kanë pasur mundësinë të aplikojnë për regjistrim për të votuar përmes postës.

Ndryshe, subjektet politike kanë të drejtë 30 ditë për të bërë fushatë zgjedhore. Ndërkaq, shumica prej partive tashmë kanë zyrtarizuar kandidatët për kryetar të komunave.

Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga 17 qershori deri më 16 gusht ka pranuar aplikacionet e 94 subjekteve politike, prej të cilave 32 parti politike, një koalicion, 35 iniciativa qytetare dhe 26 kandidatë të pavarur.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve që përfaqësojnë këto subjekte politike është 4 mijë e 922 kandidatë, prej të cilëve 165 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 4 mijë e 757 për kuvende komunale.

Nga 10 korriku, ka filluar aplikimi për regjistrim të votuesve jashtë vendit, për Zgjedhjet Lokale që do të mbahen më 17 tetor të këtij viti.

Afati për aplikim për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës zgjat deri më 18 gusht, gjithsej 40 ditë në dispozicion.

Votimi bëhet përmes postës: https://www.kqz-ks.org/sherbimet-per-votuesit/votimi-me-poste/

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore