Lajme

83 milionë euro ndahen për buxhetin e arsimit në vitin 2023


Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci

Buxheti për arsimin e Kosovës për vitin 2023 do të jetë 82.799.243 euro apo 9.712.412 euro më shumë sesa në vitin 2022.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Këtë vit buxheti për arsim ishte 12% më i lartë se në vitin 2021. Në vitin 2023, buxheti do të jetë edhe për 12 % më i lartë se këtë vit. Pra, për dy vjet, kemi 24 % rritje të buxhetit për arsim”, ka shkruar ajo.

Ndër të tjerash MASHT-i për vitin 2023 ka paraparë 6. 5 milionë euro për pajisjen e shkollave me teknologji të informacionit dhe komunikimit, 6.5 milionë euro për ndërtimin e çerdheve të reja, 2.8 milionë euro nga granti specifik për punësimin e 300 asistentëve të rinj për fëmijët me nevoja të veçanta, 59 këshilltarëve të karrierës, 30 specialistëve të IT për nevojat e shkollave dhe 150 mijë euro për instalimin e sistemit antiplagjiat për nevojat e arsimit të lartë.

Ministria e Arsimit.

Ndërsa opozita e ka kritikuar ndarjen e buxhetit nga Qeveria e Kosovës.

Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, menaxhimin e buxhetit nga Qeveria e Kosovës e ka konsideruar si “dështimin më të madh ekonomik që është parë në dekada”.

Ai përmes një shkrimi në ‘Facebook’, ka sqaruar se pse mund të ketë pasoja të mëdha.

“Sipas raportit të buxhetit për janar-shtator 2022, vetëm 21% e investimeve kapitale janë realizuar (158 mil nga 764 mil të planifikuara). Kjo është 29% më pak se më 2021 dhe 24% më pak se më 2020”.

Edhe, deputetja e Lidhjes Demokratike, Hykmete Bajrami ka thënë se buxheti për vitin 2023 nuk e parasheh zbatimin e Ligjit të pagave e as rritjen e pensioneve.

Bajrami përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, është shprehur se një buxhet i tillë nuk i përshtatet një kohe të tillë.

“Kur Kosova po përballet me inflacion, Qeveria e Kosovës ka propozuar ‘buxhetin më të madh në histori’, ku nuk përfshinë rritje të pensioneve. Nuk ka paraparë as kosto për zbatimin e Ligjit të pagave. Pra, nuk ka paraparë rritje pagash, nuk ka paraparë as indeksim të pensioneve dhe pagave për normën e inflacionit”, ka shkruar Bajrami.

Madje, Bajrami deklaroi se LVV fokusin kryesor e ka në temën e targave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore