Lajme

6 viktima nga lëkundjet e fundit të tërmetit në Turqi


Në Turqi, ekipet e shpëtimit po kërkojnë sërish për njerëzit e bllokuar nën rrënoja pas tërmetit tjetër që goditi vendin.

Ky i fundit, deri më tani mësohet se ka lënë të vrarë të paktën gjashtë persona.

Lëkundjet me magnitudë 6.4 ballë u ndjenë pranë qytetit të Antakias pranë kufirit me Sirinë, ku tërmetet masive shkatërruan të dy vendet më 6 shkurt.

Ata lanë të vranë 44 mijë njerëz në Turqi dhe Siri dhe dhjetëra mijëra të tjerë mbetën të pastrehë.

Sakaq, ndërtesat e dobësuara nga këto lëkundje u shembën në të dy vendet.

Referuar agjencisë turke të fatkeqësive dhe emergjencave, tërmeti 6.4 ka ndodhur në orën 20:04 me orën lokale në një thellësi prej 10 kilometrash.

Kjo u pasua nga një pasgoditje 5.8 ballë tre minuta më vonë dhe dhjetëra lëkundje të mëvonshme që nuk ishin aq të rënda.

Mendohet se numri i të vdekurve ka qenë relativisht i ulët këtë herë, sepse tërmeti goditi në një zonë që ishte kryesisht bosh pasi u godit keq nga tërmeti i 6 shkurtit.

Raportimet nga atje flisnin për frikë dhe panik në rrugë, teksa ambulancat dhe ekipet e shpëtimit u përpoqën të arrinin në zonat më të prekura, ku muret e ndërtesave të dëmtuara rëndë ishin shembur.

Në një vizitë në provincën jugore të Osmaniye, presidenti turk Recep Tajip Erdogan premtoi se do të kërkojë llogari nga kushdo që është përgjegjës për ndërtimet e dobëta që çuan në vdekje në tërmetin fillestar dy javë më parë.

“Është detyra jonë t’i kërkojmë përgjegjësi para ligjit keqbërësit”, ka theksuar ai.

Menjëherë pas tërmetit, zyrtarët lëshuan më shumë se 100 urdhër-arreste në lidhje me ndërtimin e ndërtesave që u shembën nga tërmeti, një lëvizje që disa e panë si një përpjekje për të larguar fajin e përgjithshëm për katastrofën.

Kur ra tërmeti, u raportua se njerëzit kishin dalë në rrugë në vend që të qëndronin aty, duke reflektuar faktin se ekziston ende një frikë e madhe dy javë pas katastrofës fillestare.

Në Siri, rreth 470 persona të plagosur thuhet se kanë vizituar spitalet pas tërmeteve të së hënës, të cilat thuhet se janë ndjerë edhe në Egjipt dhe Liban.

Çfarë ka ndodhur?

Lëkundje të tjera tërmeti u ndjenë në Turqi në rajonin Hatay pasditen e 20 shkurtit, me magnitudë 6.4 Rihter, duke shkaktuar viktima të tjera dhe duke iu bashkëngjitur kështu bilancit tragjik të tërmeteve të 6 dhe7 shkurtit.

E gjitha vjen pikërisht një ditë pasi grupet e kërkim-shpëtimit e përmbyllën punën e tyre dy-javore, për gjetjen e të mbijetuarve.

Ndërsa, sipas një njoftimi nga Emergjencat Civile turke, dhjetëra godina të tjera, shumica prej të cilave në Antakya, janë shembur krejtësisht, pasi kishin pësuar dëme nga tërmetet e para.

Në bazë të raportimeve, lëkundjet kanë qenë aq të fuqishme, sa janë ndjerë deri në ishullin e Qipros, Liban dhe Izrael.

Mbarë bota u trondit nga bilanci i viktimave në Turqi dhe Siri, për shkak të tërmetit, ku mbi 46 mijë persona, kanë mbetur të vdekur në total.

Vetëm në Turqi, bilanci aktual ka shkuar në 40 mijë e 642 viktima dhe puna kërkimore në shumicën e provincave, është përmbyllur.

Situatë tepër e rëndë është edhe ajo në Siri, ku 5 mijë e 700 persona janë raportuar se kanë humbur jetën nga tërmeti. Por, ky bilanc, prej disa ditësh nuk ndryshon dhe nuk bëhet me dije nëse operacionet në rajonet veriore të Sirisë vijojnë ende apo jo.

Për dy javë të plota, mbi 100 mijë ekspertë të kërkim-shpëtimit, përfshi edhe ata nga 95 vende të botës, të cilët erdhën menjëherë në ndihmë për Turqinë, u angazhuan në misione në vende të ndryshme.

Të prekur ndërkaq nga tërmeti, vetëm në Turqi janë 13.5 milionë njerëz, të cilët jetojnë në një rreze prej 450 kilometrash nga epiqendra, duke përfshirë rajone të mëdha si Adana, apo Diyarbakir e Hatay.

Ndihmat në Siri ndërkaq, kanë qenë problem madhor, pasi janë hasur shumë vështirësi në dërgimin e tyre, prej qëndrimit të regjimit të presidentit sirian, Bashar Al-Assad, për të mos i ndihmuar territoret e zotëruara nga rebelët.

Këto të fundit janë ato më të goditurat megjithatë.

Ndihmat e para drejt Sirisë shkuan me tepër vonesë dhe një rritje e numrit të viktimave pritet të ketë edhe atje.

Një solidarizim i madh ka ardhur edhe nga vetë banorët e shteteve respektive, të cilët pa ngurrim kanë vrapuar për të dhuruar veshje, ushqim, apo edhe gjak për të mbijetuarit, të cilët tashmë duhet të presin edhe një kalvar peripecishë, për t’iu kthyer normalitetit.

Nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, është premtuar se të gjitha lagjet e shkatërruara do të rimëkëmben me standardet më të larta.

Arrestimet ndërkohë, nuk kanë munguar ndaj ndërtuesve, pallatet e të cilëve janë shembur pas tërmetit dhe kritikat, edhe ndaj Qeverisë, kanë qenë jo të pakta, për lejimin e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore