Shqipëria

5-10 mijë euro për emigrantët nga Lindja e Mesme, SPAK mbyll hetimet për bandën shqiptare të trafikimit


Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka mbyllur hetimet për bandën e 15 shqiptarëve dhe shtetasve të huaj të cilët kontrabandonin persona të ndryshëm nga lindja e mesme me destinacion Italinë e Jugut dhe në vijim vende të tjera të BE-së.

Sipas SPAK, pjesëtarët e këtyre grupeve kriminale pasi siguronin persona të ndryshëm kryesisht në Irak, Siri, Egjipt e vende të tjera kundrejt një shpërblimi monetar nga 5 mijë  deri në 10 mijë euro, i kontrabandonin ato në rrugë tokësore dhe detare.

Gjithashtu në njoftim thuhet se nga hetimi i përbashkët i kryer janë dokumentuar 30 episode kontrabandimi të 1 mijë e 120 emigrantëve.

“Nga hetimet e kryera në Shqipëri nga SPAK në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese janë dokumentuar shtatë episode kontrabandimi të personave nga Lindja e Mesme, të kryera ne Tiranë, Korçë, Gjirokastër, Elbasan, Fier, Vlorë dhe Sarandë”.

Ndër të tjera, janë sekuestruar mjete lundruese (skafe), një anije velierë, automjete, si dhe sende të ndryshme, të cilat shërbenin për kontrabandimin e personave në rrugë tokësore dhe nëpërmjet detit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore