Lajme

“400 mijë të punësuar aktivë”, Bajrami, Kurtit e Muratit: Manipulatorë të shifrave, trendi i të punësuarve është duke rënë


Hykmete Bajrami

Ish-ministrja e Financave, Punës dhe Transfereve, Hykmete Bajrami, aktualisht deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, nëpërmjet një postimi në llogarinë e saj në “Facebook”, ka thënë se Qeveria e Kosovës po bënë “propagandë” dhe po “manipulon” me shifrat për “400 mijë të punësuar aktivë”.

Një ditë më parë, ministri i Financave, Punës dhe Transferve, Hekuran Murati, ka thënë se “për herë të parë”, ekonomia e Kosovës ka tejkaluar shifrën prej “400 mijë vendeve aktive të punës”, ndërsa të dielen edhe kryeministri Albin Kurti deklaroi se “ky është një tregues i fortë i suksesit të politikave qeverisëse”.

“Manipulatorë të shifrave, të flasim me trende, sepse e vërteta është ndryshe nga propoaganda: Me politikat e juaja të punësimit, kompanitë private po i humbin jo vetëm punëtorët por edhe konsumatorët. Publikoni shifrat: Sa qytetarë kanë ikur nga Kosova prej që ju keni marrë të gjitha nivelet e pushtetit”, ka shkruar deputetja Bajrami.

Ndër të tjera, deputetja e LDK-së ka nxjerrë disa shifra nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), nga të cilat, sipas saj, del që janë punësuar vetëm 26 mijë 580 më shumë se një vit e gjysëm me parë, ndërsa ka pyetur ekzekutivin kosovar “me çka po lavdëroheni?”, ngase siç vlerësoi ajo, trendi është drejt rënies.

Kosova vazhdon të ketë probleme të mëdha ekonomike. Opozita po e akuzon ekzekutivin për politika të gabuara, derisa dhjetëra mijëra qytetarë, kryesisht të rinj të papunë e profesionistë të dëshpëruar, po ia kthejnë shpinën vendit të tyre për të nisur jetë të re në shtetet perëndimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore