Lajme

39% e punonjësve shqiptarë ngrenë sende të rënda, sipas anketës


Dy në pesë punëtorë shqiptarë ngrenë ose mbajnë sende të rënda.

Kurse një pjesë më e vogël prej tyre punojnë në mjedise ekstreme, ndërsa gjysma i përdorin duart si “mjetin” kryesor në punë.

Në këtë përfundim kanë dalë rezultatet e anketës evropiane për arsimin dhe lidhjet e tij më tregun e punës në vendin tonë.

39% e shqiptarëve të punësuar – referuar anketës – kanë raportuar se kanë ngritur ose mbajtur objekte të rënda, ngarkesa ose njerëz, pa ndihmën e një makinerie në kohën kur u zhvillua anketa në fillim të vitit 2023.

Tre në dhjetë (29%) shqiptarë të anketuar kanë raportuar se punojnë në një mjedis me nxehtësi ose temperatura shumë të ftohta, kimikate ose pjesë të rrezikshme, afërsisht në linjë me mesataren e BE-së (27%) dhe pesë vende të Ballkanit Perëndimor (WB5) (32%).

Afro gjysma (46%) e shqiptarëve kanë treguar se përdorin duart për të kapur, për të manipuluar ose për të montuar saktësisht objektet.

Pjesa e punonjësve që ngre pesha në Shqipëri është më shumë se vlerat mesatare në WB5 (37%) dhe EU27 (34%).

Sakaq, burrat kanë më shumë gjasa të përfshihen në detyra të tilla manuale sesa gratë (47% kundrejt 27%).

Edhe punëtorët më të vjetër kanë gjasa të ngrenë pesha nëse krahasohen me më të rinjtë (48% e atyre të moshës 55- 64 vjeç përkundër 28% të atyre të moshës 25- 34).

Ndërkohë, rezulton po ashtu se të punësuarit me arsim të nivelit të ulët dhe të mesëm janë më të ekspozuar ndaj ngritjes së peshave (54%) dhe të mesëm (46%), ndërkohë vetëm 15% e atyre me arsim të lartë.

Më shumë se gjysma e punëtorëve në profesionet që lidhen me punë manuale dhe elementare (përkatësisht 53% dhe 50%) pohuan se ngrenë pesha krahasuar me 30% të atyre në profesione gjysmë të kualifikuara dhe 18% të atyre në profesione të kualifikuara.

Sipas rezultateve të anketës, ngritja e objekteve dhe ngarkesave është gjithashtu më e zakonshme te të anketuarit që punojnë në bujqësi ose industri (50%).

Kurse vetëm 36% të atyre që punojnë në shërbime dhe 22% e të anketuarve nga sektori publik, arsimi apo shëndetësia ngrenë objekte gjatë orarit të punës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore