Lajme

3,400 regjistrime: Sot përfundon afati për targat, s’do ketë shtyrje


Foto: Albanian Post

Këtë të premte afati për konvertimin e targave ilegale serbe në ato legale RKS, përfundon dhe nuk do të zgjatet më.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, derisa tregoi edhe numrin e saktë të atyre serbëve që i kanë konvertuar deri më tani targat.

“Deri më tani janë konvertuar gjithsejtë 3 mijë e 400 targa, afati është edhe sot deri në ora 16:00, të presim se çfarë do ndodhë. Nuk do të ketë shtyrje të afatit”, tha Elshani për AP.

Me 800 targa që janë konvertuar më herët, tani numri total i atyre që kanë konvertuar targat në RKS, ka shkuar në 4 mijë e 200.

Afati për regjistrimin e targave do duhej të përfundonte më 1 dhjetor, por Qeveria e Kosovës kishte shtyrë afatin për konvertimin e targave ilegale serbe deri me 15 dhjetor për shkak të interesimit të madh të qytetarëve në katër komunat Veriore të Kosovës – të banuara me shumicë serbe – për të kaluar nga targat ilegale serbe të lëshuara nga autoritetet e Serbisë në targat legale të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës (MPB).

Ky vendim ishte marrë pas një mbledhje elektronike, kishte njoftuar të enjten e javës së kaluar Qeveria e Kosovës, duke zgjatur kështu afatin për regjistrimin me benefite financiare për pronarët e automjeteve me denominimet “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” edhe për 15 ditë të tjera, posaçërisht pas kërkesës së serbëve lokalë dhe interesimit të madh.

Drejtoria e Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut i kishte kërkuar MPB-së që të shtynte afatin edhe për 15 ditë. Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, kishte thënë për Albanian Post se një kërkesë e tillë ishte dërguar në adresën e ekzekutivit kosovar për shkak se të radhëve të gjata para qendrave për riregjistrimin e automjeteve.

Në shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës, nisi zbatimin e vendimit për largimin e targave ilegale në Veri të Kosovës.

Për ta kundërshtuar këtë vendim, serbët në Veri të Kosovës vendosën barrikada.

Ngërçi në terren u zgjidh në tryezën e bisedimeve në Bruksel nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Ilustrim.

Në fund të qershorit 2022, Qeveria e Kosovës, mori vendim për ri-regjistrimin e të gjitha automjeteve me targa të lëshuara nga Serbia me akronimet për qytetet e Kosovës, si KM, PR, GL e kështu me radhë.

Me këtë vendim po ashtu parashihej që për personat me letërnjoftime serbe të lëshohet dokumenti hyrës/dalës, që ishte edhe masë reciproke ndaj Serbisë.

Në prag të fillimit të zbatimit të këtyre vendimeve, më 31 korrik, serbët ngritën sërish barrikada, të cilat megjithatë u hoqën një ditë më vonë për shkak se Kosova pranoi ta shtyjë zbatimin e tyre për 30 ditë.

Më 23 nëntor 2022, në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për targat që lëshohen nga autoritetet serbe për qytetet në Kosovë.

Sipas marrëveshjes, Serbia pranoi që të mos lëshonte më targa të reja dhe Kosova hoqi dorë nga ndëshkimet që parashihte plani për ri-regjistrimin e makinave.

Megjithatë, të dyja palët më vonë e interpretuan ndryshe këtë marrëveshje.

Më 6 dhjetor 2022, Qeveria e Serbisë miratoi një dekret në bazë të të cilit automjetet me targa “KM” lejohen të lëvizin pa etiketë regjistrimi, gjegjësisht atyre u duhet t’i tregojnë zyrtarëve vetëm një policë sigurimi dhe një certifikatë kontrolli teknik.

Kosova e interpretoi këtë hap të Serbisë si rinovim të regjistrimit me arsyetimin se bie ndesh me marrëveshjen e Brukselit. Prandaj, autoritetet e Kosovës ndaluan qarkullimin e makinave me targa “KM” në Veri që ishin regjistruar në sistemin serb pas arritjes së marrëveshjes për targat në nëntorin e vitit 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore