Shqipëria

3 vdekje dhe 51 raste nga Covid-19 në Shqipëri


Gjatë 24 orëve të fundit, tre qytetarë kanë humbur betejën me coronavirus-in dhe kanë rezultuar pozitivë 51 qytetarë në Shqipëri.

Gjatë muajit prill dhe në vijim situata është paraqitur drejt rënies përsa i përket rasteve të reja dhe humbjeve të jetës.

Aktualisht në spitalet COVID, në Tiranë dhe në spitalet rajonale Shkodër, Durrës, Elbasan, janë duke u trajtuar 116 pacientë. 17 prej tyre ndodhen në terapi intensive, nga të cilët tetë ndodhen në intubim.

Janë kryer 1 mijë e 995 testime dhe janë shëruar 834 qytetarë.

Fushata e vaksinimit masiv vijon gjithashtu me ritme të shpejta.

Ndërkohë deri më tani janë vaksinuar mbi 517 mijë shqiptarë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka bërë me dije se mbi 100 mijë qytetarë, i kanë kryer të dyja dozat e vaksinës anti-Covid.

Në Shqipëri kanë mbërritur deri tani mbi 730 mijë doza të vaksinave anti-Covid, ndërsa janë siguruar përmes kontratave të deritanishme, 2.1 milionë doza.

Më 29 prill u mblodh sërish Komiteti i Ekspertëve, ku la në fuqi masat e marra më përpara për sa i përket fashës orare të lëvizjes deri në orën 22.00.

Ministria gjithashtu ju bën apel të gjithë qytetarëve të mos e ulin vigjilencën dhe të vijojnë të zbatojnë rregullat për parandalimin e COVID-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore